Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria rrëzon akuzat e PD-së se arkitekti Bjarke Ingels shkeli ligjin


Prokuroria e Tiranës ka rrëzuar akuzat e Partisë Demokratike se arkitekti danez Bjarke Ingels ka shkelur ligjin duke realizuar projektin për ndërtimin e teatrit të ri, pa patur një marrëveshje më parë me autoritetet dhe duke qenë në dijeni të faktit se godina do të ngrihej në një zonë të mbrojtur.

Në nëntor të 2019-ës, prokurori Saimir Hysa vendosi të mos e niste procedimin penal ndaj Ingels, me arsyetimin se nuk ka element të veprës penale.

Por PD e ankimoi vendimin duke e çuar çështjen në gjykatë. Ndërkohë që gjykata pritet të kontrollojë vendimin e Prokurorisë dhe të vendosë për mbylljen e hetimeve apo kthimin e dosjes për hetim, prokurori Hysa, arrin në konkluzionin se nuk ka bazë ligjore, për fillimin e procedimit penal. Kjo sepse punimet për ndërtimin e teatrit të ri nuk kanë nisur dhe Ingels nuk rezulton të ketë ofruar shërbime.

“Nuk është në objektin e punës së prokurorisë të gjykojë mbi vlefshmërinë e akteve ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetëror si dhe mbi faktin nëse duhet shembur ose jo godina e teatrit Kombëtar”. – thotë Prokuroria, citon BalkanWeb.

Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez janë 3:  “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Padia e Partisë Demokratike kundër arkitektit të projektit korruptiv për Teatrin sjell me detaje historikun e këtij projekti, bazuar mbi deklaratat publike të Edi Ramës, Erion Veliajt, Bjarke Ingels dhe akteve zyrtare, që çojnë në konkluzionin se Edi Rama, bashkë me Erion Veliajn kanë bashkëpunuar me Bjarke Ingels për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *