Vendosni fjalën kyçe....

Emërimi i gruas së Denar Bibës në administratë, PD: Ra propaganda e Ramës anti KÇK, ajo s’kaloi Vettingun


Elona Kana

Pasi u largua nga sistemi i drejtësisë për t’iu shmangur Vettingut, kryeministri Edi Rama ka emëruar gruan e nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba në postin e anëtares të një komisioni shtetëror.

Partia Demokratike ka kundërshtuar emërimin e Elona Kanës në një funksion shtetëror, duke argumentuar se me këtë veprim bie propaganda anti-KÇK e Ramës për gjoja pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit

Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu tha se Rama ndryshe flet e ndryshe vepron lidhur me luftën ndaj asaj që e quan banda KÇK.

“E gjithë propaganda e Edi Ramës për gjoja pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit rrëzohet nga një vendim i vetë qeverisë së Edi Ramës për të mbajtur në administratën e tij ata që nuk e kalojnë vetingun.

Një nga rastet më flagrante të standardit të dyfishtë të Edi Ramës është vendimi për t’i gjetur një punë në shtet bashkëshortes së nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, pasi ajo dështoi të kalojë vetingun.

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana, u tërhoq nga sistemi i drejtësisë pak para daljes së vendimit të vetingut, sepse nuk justifikonte dot pasuritë e saj dhe të shërbëtorit të Ramës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Por me një vendim qeverie këtë javë, Edi Rama e ka emëruar bashkëshorten e Denar Bibës në një post në Entin Rregullator të Ujit.

Megjithëse nuk justifikoi pasurinë, megjithëse u tërhoq para se vetingu ta shkarkonte nga detyra e këshilltares në Gjykatën e Lartë, kamikazi i Edi Ramës në KQZ, i cili organizoi votime të paligjshme pa opozitën, u shpërblye.

Lufta kundër korrupsionit në dorën e Edi Ramës është vetëm propagandë. Ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Edi Rama flet për luftë kundër bandës KÇK në drejtësi, por ata që nuk kalojnë vetingu,  i emëron në detyra të tjera shtetërore.”– thotë Balliu.

Ish-deputeti demokrat i kujton Ramës kushtet e vendosura nga Bundestagu për hapjen e negociatave, për procedimin penal ndaj atyre që nuk e kalojunë Vettingun.

“Edi Rama flet për ndjekje penale ndaj atyre që nuk justifikojnë pasurinë para vetingut, por kur këta I kanë shërbyer pushtetit të tij të paligjshëm, ai hedh në kosh edhe një nga kushtet kyç të Bundestagut për hapjen e vërtetë të negociatave me Shqipërinë.

Sa për kujtesë, Rezoluta e Bundestagut shprehet qartë:

“Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave do të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

     –  Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore

     –  Fillimi i procedimeve penale kundër atyre që nuk kalojnë vetingun”- thuhet në rezolutën e Bundestagut.

Emërimi i bashkëshortes së Denar Bibës në një detyrë shtetërore, pasi dështoi me vetingun do të thotë se shërbëtorët e Edi Ramës në drejtësinë e kalbur nga korrupsioni dhe të kriminalizuar nga paratë e krimit, janë të paprekshëm!

Ata jo vetëm nuk i kap ligji propagandistik antiKÇK, jo vetëm nuk i heton Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, por promovohen në  detyrë të re nga qeveria, kur nuk kalojnë dot vetingun!

Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka drejtësi të pastruar nga të korruptuarit, nuk ka drejtësi të pavarur, të pakapur nga qeveria, nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë dhe, mbi të gjitha, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar!”– përfundon Balliu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *