Vendosni fjalën kyçe....

Lame thirrje qytetarëve të aplikojnë për rivlerësimin e pasurive: Procesi deri në shtator, rastet emergjente të parat


Kreu i Kadastrës, Artan Lame, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp për të njoftuar për nisjen e zbatimit të rivlerësimit të pasurive të qytetarëve.

Lame iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s, për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre. Kreu i Kadastrës foli dhe për mënyrat se si do bëhet aplikimi si dhe sa do zgjasë procesi i rivlerësimit.

“Pas miratimit të Ligjit për rivlerësimin e pasurive, Kadastra Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, hartoi dhe miratoi aktet nënligjore që e bëjnë të mundur zbatimin e tij.
Tani, pas miratimit të tyre, Kadastra shqiptare fton qytetarët e interesuar se, duke filluar nga dita e nesërme, mund të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s (atje ku ka të tilla) ose pranë sporteleve tona, për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre.

Siç jeni në dijeni, nga ditët e para të janarit, ka filluar edhe aplikimi i reformës më të fundit të qeverisë Shqiptare, reforma e shërbimeve “ON LINE” përmes platformës “e-Albania”.
Kjo bën të mundur që, aplikimi për rivlerësimin, të kryhet edhe “on line” direkt nga çdo i interesuar. Gjej rastin që të ftoj qytetarët që masivisht ti drejtohen kësaj mënyre shërbimi, duke aplikuar vetë direkt nga kompiuterat apo telefonet celularë personalë.
Eshtë e natyrshme ngarkesa e ditëve të para të aplikimit të kësaj reforme, që kërkon përshtatjen edhe të sistemeve të punës së vetë institucioneve, por në mënyrë të veçantë kërkon ambientimin e qytetarëve me këtë mënyrë aplikimi.

E gjithë procedura e përpunimit të të dhënave nga ana e punonjësve tanë, zgjat 5 ditë pune.

Procesi i rivlerësimit kësaj rradhe do të ketë këto dy risi:
1. Do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetaret.
2. Do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces rregjistrimi në Kadastër.
Krjo risi e dytë, është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluiznit dhe ish-ZRPP-së.

Me qëllim që të shmangim ngarkesën e madhe të këtyre ditëve, nga ana jonë është ndërtuar një kalendar për shpërndarjen e këtij procesi përgjatë muajve në vijim.
Kështu, përgjatë muajve shkurt dhe mars do të kryhen procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që ju shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre.
Në vijim deri në muajin shtator, kur mbyllet ky proces, do të vijojmë shërbimin për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar.

Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim fitimit në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit.

Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që të përfitojnë nga procesi i rivlerësimit, duke i bërë pronat e tyre pjesë të tij.”– tha Lame.

Ndonëse ligji që lejonte rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka hyrë në fuqi që në 1 janar, zbatimi i tij nuk kishte nisur ende, për shkak të mungesës së udhëzimit, i cili është publikuar dje në Fletoren Zyrtare dhe hyri në fuqi menjëherë.

Udhëzimi parashikon se të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 30 shtator 2020, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *