Vendosni fjalën kyçe....

Nesër pritet nënshkrimi i marrëveshjes, dalin detaje nga përbërja e kabinetit


Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë bashkë qeverinë e re të vendit.

Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe ajo e cila e zuri vendin e dytë, pritet që nesër, e diel, të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.

Gazeta Express raporton se është hapur rruga për marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.

Raportimin e ka konfirmuar anëtari i VV-së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.

Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.

LDK-ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.

Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK-në për formimin e qeverisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *