Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Sukthi: Banorët po kthehen në ndërtesa të pasigurta, me milionat oligarkëve sistemohen të gjithë


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar sot banorë të Sukthit, të cilët thanë se autoritetet se i kanë nxitur të hyjnë në pallate të pasigurta, për të cilat nuk ka akoma një vlerësim për sigurinë e tyre.

 “Tre – katër ditë pas tërmetit kanë ardhur vetëm dy inxhinierë grekë të cilët thanë se duhet të vijnë specialistë me aparatura, të kontrollojnë pallatet. Na kanë venë vetëm nga një kryq të verdhë, që të mos hyjmë brenda”– tha një nga banorët i cili tregoi edhe disa dokumente të bashkisë.

Një tjetër banor tha se shumë qytetarë kanë hyrë në këto ndërtesa të pasigurta, pasi nuk kanë përfituar bonuse dhe nuk kanë se ku të shkojnë tjetër. Një kryefamiljare tha se gjithçka kërkon është të dinë nëse shtepia e tyre është e banueshme apo jo.

 “Shteti nuk ekziston për në. Vetëm opozita ka ardhur. Shtëpitë na janë bërë copë. Ne duam të dimë vetëm a është e banueshme shtëpia. Shkojmë tek bashkia dhe na përcjellin ‘Ik se do të vijmë”– tha një zonjë.

Pas bisedës me banorët, Basha tha se qeveria e Edi Ramës ka vënë në rrezik jetën e mijëra familjeve, për të mbrojtur milionat e oligarkëve.

“Vlerësim dëmesh nuk ka. Bonus qeraje shumica thotë se nuk kemi marrë. Më e keqja, më e tmerrshmja është kthimi i tyre në shtëpi. Larg qoftë,po ndodhi jë tërmet i fortë, përsëritet Thumana. Ky është krim shtetëror. Ata e humbën jetën prej shtetit, sepse u futën në pallate të dëmtuara, pasi shteti nuk u kujdes për ta. Kam ardhur t’ju them se kjo është situatë kriminale dhe nuk duhet ta pranojmë, dhe nuk duhet ta pranoni as ju më.  Kjo neglizhencë ka vetëm një emër, korrupsion. Gjithçka lidhet me korrupsionin, sepse po t’i merrnin paratë e oligarkëve nuk kishin nevojë të prisnin as për donacione, as për konferencë donatorësh. Po të mërrnin ato 10 milionë euro në muaj që ua japin oligarkëve, do të kishin sistemuar të gjithë familjet e goditura”– tha Basha.

Një tjetër banor, u ankua për një tjetër problem. Sipas tij, në pallatet që janë shpallur të pabanueshëm, ata vazhdojnë të faturohen për ujin e dritat edhe pse nuk qëndrojnë më aty.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *