Vendosni fjalën kyçe....

Të pastrehët e tërmetit përplasen me policinë, efektivët shkuan t’i nxjerrin nga godina në Unazën e Re


Policia Bashkiake kërkon të nxjerrë nga një godinë në Unazën e Re, dhjetëra familje që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas banorëve, mëngjesin e sotëm, disa furgonë me policë bashkiakë dhe ata të rendit kanë vajtur pranë godinës duke u kërkuar që të dilnin pasi ajo do prishej.

Ata e kanë kundërshtuar me forcë këtë gjë, pasi sipas tyre nuk kanë ku të shkojnë duke qenë se banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme pas tërmetit.

Një nga banorët e Mamurrasit thotë se i kanë dhënë një dokument për të marrë bonusin e qirasë ndërsa deklaron se ka shkuar edhe dy herë të tjera në bashki por nuk ka marrë gjë.

‘Nuk del prej këtu pa marrë lekë në dorë, ose pa më gjet bashkia banesë. Këto dokumente nuk hyjnë në punë për asgjë. Kam shkuar 3 herë në Mamurras dhe s’më kanë dhënë zgjidhje. Nuk na ka ardh urdhër prej Tirane më kanë thënë. Këtu jetojmë me ato që sjell bamirësia, shteti s’na ka dhënë asgjë.’ – thotë njëri nga banorët.

Ndërsa një banore deklaron se është nëna e katër fëmijëve jetimë dhe se nuk ka ndërmend që të lëvizë nga godina pasi nuk ka ku të shkojë.

‘Unë s’kam ku shkoj, nga këtu nuk dal vetëm e vdekme. Jam me katër fëmijë jetimë në mes të rrugës. Askush nga shteti s’na ka ndihmuar.’ – deklaroi ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *