Vendosni fjalën kyçe....

Si paraqitet deri tani situata nga tërmetet, 325 të lënduar dhe shtatë viktima


Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar vdekjen e shtatë personave nga tërmetet që kanë goditur vendin në orët e para të mëngjesit të sotëm. E fundit që është konfirmuar është një vogëlushe 10-vjeçare, e cila ka humbur jetën në banesën e saj në Thumanë, ndërkohë që nëna e saj ndodhet nën rrënoja e plagosur.

Viktimat e konfirmuara janë një i ri në Kurbin që u hodh nga ballkoni, një në Lezhë, dy në Thumanë, dhe tre të tjerë në Durrës.

Situata paraqitet e vështirë edhe për ekipet e kërkimit, të cilët disa herë janë larguar nga rrënojat për shkak të lëkundjeve të njëpasnjëshme. Dy fëmijë thuhet se janë ende nën rrënoja.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka zbuluar numrin zyrtar të personave të lënduar të cilët kanë marrë mjekim nëpër spitale.  Janë 325 persona të lënduar në total që kanë marrë mjekim në spitalet e Durrësit dhe Tiranës.

Deri tani raportohen 135 të lënduar në Spitalin e Traumës, 130 në Spitalin e Durresit, 60 të tjerë në QSUT.

Qendra koordinimit të urgjencës ka pritur 392 thirrje dhe janë realizuar 91 misione në spitale.
Tërmeti i pak minutave më parë përsëri me magnitudë 6.3, por zgjati më pak.

Një tjetër tërmet sapo ka goditur përsëri vendin pak çaste më parë dhe ishte përsëri me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter, por fatmirësisht zgjati më pak.

Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane-Mesdhetare, tërmeti ishte përsëri me epiqendër detin Adriatik.

Lëkundjet janë ndier edhe në Thumanë dhe në Durrës, atje ku ka ende banorë të bllokuar nën rrënoja. Kjo ka rrezikuar situatën e tyre por edhe të ekipeve të shpëtimit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit nëpërmjet një deklarate paralajmëroi vetëm pak më herët se goditjet kryesore kanë kaluar, por duhet të qëndrojmë jashtë pasi pasgoditjet mund të shkaktojnë dëme të tjera.

Përsa i përket pallateve e godinave të shembura e të dëmtuara ende nuk dihet numri i saktë i tyre. Në Thumanë janë shembur tre pallate, në dy prej të cilave vijon ende operacioni për shëpëtimin e banorëve të mbetur nën rrënoja.

Edhe në Tiranë, tërmeti ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Një pallat pranë Drejtorisë së Policisë ka pësuar dëme të mëdha. Një pjesë anësore e katiti të dytë është shembur dhe ka rënë në trotuar. Pallati gjendet në rrugën Sami Frashëri shumë pranë Drejtorisë sëPolicisë. Edhe tek pallatet afër Kthesës së Kamzës është shembur një ballkon.

Ndërkohë në Durrës situata paraqitet alarmante si në Thumanë. Operacionet e shpëtimit vijojnë. Një pallat ku ndidhet restorant Mira Mare ku lart është hotel, ka zënë poshte njerëzit të cilëve u kanë shkuar në ndihmë ekipet e zjarrfikësve.

Policia ka ndërhyrë në rrënojat e hotel Tropikali në Durrës, bashkë me një qen për të bërë të mundur verifikimin e situatës, nëse ka apo jo viktima. Dyshohet se brenda hoteli janë disa persona nga Kosova . Ata kanë kërkuar ndihmë nga rrënojat me anë të telefonit, ndërsa tani nuk përgjigjen më.

Tërmeti ka dëmtuar edhe Kalanë 3000 vjeçare të Durrësit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *