Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon takimi mes presidentit Meta, Bashës e aleatëve


Ka përfunduar takimi në Presidencë mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe aleatëve të tij, me presidentin Ilir Meta, pas ftesës së këtij të fundit për të diskutuar lidhur me krizën politike në vend.

Takimi ka nisur në orën 09:00 dhe ka zgjatur për rreth një orë e gjysmë. Mësohet se tema e diskutimeve të tyre ishte përplasja mes Presidencës, Kuvendit dhe KED-së lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Një temë tjetër për të cilën palët diskutuan është Reforma Zgjedhore. Pritet një komunikim nga Presidenca lidhur me këtë takim, ku e vetmja që mungoi ishte kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila dërgoi si përfaqësues Petrit Vasilin.

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi tha për gazetarët: “Tashi kjo është punë e gjatë shumë, presidenca do të dalë me një deklaratë vetë, edhe zoti Basha do dalë vetë me një deklaratë zyrtare, që të mos bëhet zhurmë kot, më mirë presim deklaratat zyrtare”.

Nisma e presidentit për këto takime erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka patur një përplasje me maxhorancën lidhur me plotësimin me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti Meta dekretoi si anëtare Marsida Xhaferllarin, ndërkohë që KED dhe maxhoranca thonë se ky vend i takon Arta Vorpsit pasi ajo është e para në listë dhe presidentit i ka përfunduar afati 30 ditor që kishte në dispozicion për të zgjedhur.

Lidhur me këtë, Meta akuzon kreun e KED-së Ardian Dvoranin, që sipas tij nuk ka zbatuar rendin kronologjik të dërgimit të listave, duke çuar në përplasje mes Presidentit dhe Kuvendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *