Vendosni fjalën kyçe....

“Meta s’ka të drejtë” – Bardhi përplaset me Xhafajn: Vorpsi e para në listë prej miqësisë me vëllanë e Geronit


Ka patur një përplasje në distancë sot mes maxhorancës dhe opozitës, lidhur me presidentin Ilir Meta dhe gjyqtaren Marsida Xhaferllarin, të cilën kreu e shtetit e dekretoi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ndërsa fliste sot në lidhje me debatin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, tha se Marsida Xhaferllari nuk plotëson kriteret për të qenë anëtare e Kushtetueses. Ai tha se presidenti Ilir Meta nuk ka të drejtë.

“Në web e GjK znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje? Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e GjK. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin. Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur. Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e . Opinioni i KV ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të GjK duhet të reagojnë qartë. Zbatimi i Reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija. Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqsore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare.”– thotë Xhafaj.

Nuk ka vonuar shumë një reagim nga ana e Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi i kujton ish-ministrit Xhafaj të vëllanë dhe citon Kushtetutën ku asnjë rast nuk thuhet se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të emërohen nga KED.

“Sulmi i vëllait të Geron Xhafës ndaj Gjykatës Kushtetutese përse zbatoi Kushtetutën dhe jo urdhrat e Partisë është i papranueshëm dhe bie ndesh me qëllimin e Reformës në Drejtësi, që politika të rrijë larg vendimmarrjeve të gjyqësorit.

E kuptojmë që vëllai i Geronit kërkon që të ketë në Gjykatën Kushtetuese një person që betohet tek zyra e tij për shërbime partiake, por Kushtetuta është e qartë në tre pika:

Emërimi i 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga Dvorani i Partisë në KED (neni 125 i Kushtetutës).

Gjyqtari i emëruar që të fillojë detyrën duhen të betohet përpara Presidentit të Republikës dhe jo në zyrën e Fatmir Xhafës apo selinë e Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese duhet të betohet që do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, dhe jo pushtetit popullor dhe Statutit të Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka shpallur asnjë fitues, sepse nuk e ka këtë kompetencë (neni 149/d i Kushtetutës). Dvorani i Partisë ka bërë veprime administrative të paligjshme në zbatim të urdhrave të Partisë, por ato nuk janë vendime të organit kolegjial KED, por vendime personale të ushtarit të vëllait të Geronit në KED.”, thotë Bardhi.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, maxhoranca nuk po lë pa ndërhyrë në asnjë organ të drejtësisë. Sipas tij, Arta Vorpsi ishte renditur e para nga KED, jo për aftësitë e saj por për shkak të miqësisë që ka me Fatmir Xhafajn, Ardian Dvoranin e Arta Markun.

“Ata që spo lenë organ të ri të drejtësisë pa futur duart, me monovra kriminale, politike, qëllimkëqija dhe antikushtetuese, duhet të kuptojnë se zbatimi korrekt dhe sipas Kushtetutës i Reformës në Drejtësi është parakusht për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Drejtësia e re nuk bëhet me shërbëtor partiak, por me individë që respektojnë Kushtetutën dhe zbatojnë atë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Arta Vorpsi me sjelljen prej shërbëtorje politike humbi çdo mundësi për të qenë, ligjërisht dhe moralisht, gjyqtare e Gjykatës Kushtetutese. Ajo u provua se ishte e renditur e parë, jo për aftësi e profesionalizëm, por për miqësi me Fatmir Xhafën dhe ushtarët e tij në KED Ardian Dvorani e Arta Marku.

Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet vetëm sipas Kushtetutës! Vetëm kështu drejtësia e re përmbush standardet e vendeve partnere që na ndihmuan në realizimin e saj.”– përfundon Bardhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *