Vendosni fjalën kyçe....

Shembjet te Unaza e Re – Avokati i Popullit kujton autoritetet: Çështja nuk është sqaruar ende


Avokati i Popullit ka reaguar pas përplasjeve që ndodhën sot te Unaza e Re, ku mbetën të lënduar rreth 12 persona.

Avokati i Popullit u bën thirrje autoriteteve që të mënjanojnë konfliktin me banorët, ndërsa kujton se çështja nuk është sqaruar ende.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.

REAGIMI I PLOTË

“AVOKATI I POPULLIT NDJEK NË TERREN SITUATËN TE “ASTIRI” DHE BËN THIRRJE PËR NDALIM TË KONFLIKTIT

Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së sotme në segmentin e Unazës së Re ku janë shënuar përplasje midis banorëve që kundërshtojnë një projekt ende të kontestuar infrastrukturor dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit ndodhen në terren për të dëshmuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, i cili prej një muaji ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre.

Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët, të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.

Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *