Vendosni fjalën kyçe....

Protesta masive në vend, dorëhiqet kryeministri i Libanit


Kryeministri i Libanit, Saad al-Hariri, ka njoftuar dorëheqjen e tij dhe të qeverisë së tij, pas më shumë se një javë protestash që paralizuan vendin, pasi njerëzit akuzojnë autoritetet për korrupsion dhe se kanë shkaktuar një kolaps ekonomik.

Hariri, i cili ishte në zyrë që nga dhjetori i vitit 2016, njoftoi dorëheqjen gjatë një deklarate televizive drejtuar kombit.

‘Kam vendosur të jap dorëheqjen,’ tha ai. Kryeministri në largim gjithashtu u kujtoi partive politike të vendit se ishte përgjegjësia e tyre për të mbrojtur Libanin.

Dorëheqja e tij erdhi pavarësisht kundërshtimit të fortë të të një grupi me ndikim në vend, Hezbollah, i cili më parë këmbënguli që kryeministri duhet të mbante postin e tij për të shmangur boshllëkun e pushtetit në vend.

Javën e kaluar, kreu i qeverisë njoftoi një seri reformash ekonomike dhe masa antikorrupsion ndërsa mijëra persona marshonin nëpër të gjithë vendin, duke bllokuar rrugët dhe duke bërë thirrje për revolucion.

Por masa nuk pati asnjë ndikim për Haririn, me njerëzit që thanë se kjo nuk ishte e mjaftueshme duke vijuar protestat në rrugë, ndërsa kundërshtarët e tij në kabinet thuhet se fajësonin kryeministrin 49-vjeçar se po anonte nga demonstruesit.

Tensionet ishin të larta në Bejrut të martën teksa përkrahësit e Hezbollah u përleshën me protestuesit antiqeveritarë, duke u përpjekur të çmontonin tendat dhe bllokimet e rrugëve rreth kryeqytetit.

Këto ishin incidentet e para që nga fillimi i tubimeve, ndërsa policia ndërhyri për të ndarë palët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *