Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi: Kolegji Zgjedhor s’duhet të shqyrtojë ankimimet zgjedhore


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, deklaroi se klasa politike duhet të marrë vendim sa më shpejt për zgjerimin e votimit elektronik në të gjithë vendin, pasi implementimi i tij kërkon kohë dhe infrastrukturë të posaçme.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të rikonsideruar procesin e numërimit të votave, duke sugjeruar rikthimin e tij në qendrat e votimit për më shumë transparencë dhe saktësi.

Sipas kreut të KQZ-së, është e domosdoshme të rishikohen edhe rregullat e ankimimeve zgjedhore, duke propozuar që ato të mos shqyrtohen më nga Kolegji Zgjedhor, por nga gjykatat administrative ose Gjykata e Lartë.

“Do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse do të diskutohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky votim të merret sa më shpejt, se nëse zgjerimi i tij do të përfshijë të gjithë njësitë e qeverisjes së vendit, kohë që nuk duhet për ta arritur këtë proces, nuk mund të jetë 1, 2, 3, 4 muaj. Numërimi ngelet çështje që duhet të rikonsiderohet.

Do të vazhdojmë kështu si kemi këtë proces, do të vazhdojmë të numërojmë në mënyrë të përqëndruar, apo numërimi në qendrat e votimit.

Personalisht mendoj që ka ardhur koha t’i rikthehemi numërimit në qendrat e votimit, por duhet të marrim parasysh disa elememte logjistike, organizative dhe infrastrukturore për këtë model. Kështu si është organizuar ky proces, është jo profesional.

Zgjedhjet e fundit treguan që ka probleme që lidhen me transparencën, saktësinë. Do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me ankimimet zgjedhore.

Personalisht mendoj që në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor që shqyrton ankimimet zgjedhore, mund të jetë një gjykatë administrative e zakonshme, apo Gjykata e Lartë.

Ka nevojë për t’u parë edhe organizimi dhe funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse do të vazhdojë kështu, do duhet të konsiderohen kompetencat e 3 trupave të KQZ.

Përsa i përket votimit nga jashtë ka nevojë të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdohet të votojmë nëpërmjet postës, internetit, përfaqësive diplomatike, etj, por duhet të diskutohet edhe për këtë”,- tha Celibashi.