Vendosni fjalën kyçe....

Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Sot diskutuam vendime realisht të guximshme


Kreu i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri, ka deklaruar se komisioni mund t’i marrë parasysh propozimet e PD-së, pavarësisht deklaratave të kësaj të fundit se nuk e njeh komisionin.

Ai shtoi se komunikimi mes palëve mund të bëhet me anë të OSBE-së.

“Projekti i parë që u diskutua ka disa vendime realisht të guximshme, ka disa propozime radikale sidomos ai që i vë detyrim qeverisë që çdo 6 muaj të raportojë për çfarëdolloj aktiviteti dhe është KQZ-ja që do të vendosë nëse do të konsiderohet aktivitet me përmbajtje politike elektorale ose jo, duke e kthyer qeverinë de fakt në një qeveri gati si gjysmë teknike, sepse ndalohet 6 muaj para zgjedhjeve aktiviteti i mirëfilltë politik.” – tha Gjiknuri.

Më tej, ish-ministri i Infrastrukturës deklaroi se është i gëzuar që PD e ka marrë seriozisht reformën zgjedhore. Ai shtoi se PD mund t’ia dërgojë OSBE-së propozimet e saj dhe më pas mazhoranca do i marrë ato dhe do i shqyrtojë.  

“Jam i gëzuar që PD e merr seriozisht Reformën Zgjedhore, ata kanë filluar të punojnë për të. Pavarësisht se ata nuk e njohin komisionin e Reformës Zgjedhore, siç e kanë deklaruar,  ne nuk na pengon kjo që të krijojmë çdo lloj mënyre komunikimi për sa kohë që opinionet e tyre në lidhje me projektet apo propozimet që kanë në lidhje me Kodin Zgjedhor të mund të përfshihen si punë e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nëse ata do të përgatisin draftet e tyre, opinionet e tyre, duke ia dhënë dhe OSBE-së dhe jo neve në mënyrë të drejtpërdrejtë,  ne natyrshëm mund t’i marrim dhe t’i trajtojmë. Në fund të fundit mund të jetë një mënyrë shumë e mirë edhe pa qenë direkt në komunikim, meqenëse ekziston një lloj kompleksi i tillë për arsye që ata i kanë thënë, ne do të bëjmë çmos që çdo propozim i PD, i grupit të tyre, që është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ne do t’i marrim parasysh dhe mbase ky do të jetë rast i rrallë kur dakortësia e Kodit Zgjedhor nuk do të shtrihet vetëm në partitë parlamentare, por edhe në partitë jashtë parlamentare.” – shtoi ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *