Vendosni fjalën kyçe....

Gazetat australiane nxijnë faqet e para si shenjë proteste ndaj qeverisë


Pjesa më e madhe e mediave në Australi, janë bashkuar për të protestuar për lirinë e shtypit. Gazeta si Daily Telegraph, The Australian apo Financial Review dolën të hënën me faqe të para të redaktuara, me shkronja të mbuluara me të zezë dhe me një vulë të kuqe ku shkruan “sekret”, në shenjë proteste kundër kufizimeve në shtyp.

Kjo protestë është kundër ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilat gazetarët thonë se kanë bllokuar raportimin dhe kanë krijuar një “kulturë të fshehtësisë” në Australi.

Faqet e para të gazetave pyesin: “Kur qeveria mban të vërtetën nga ju, çfarë po fsheh?” Shembuj të rasteve të mbajtura të fshehta nga qeveria sipas mediave, përfshijnë refuzimin e qeverisë për të zbuluar se cilat shtëpi pleqsh kanë abuzuar dhe kanë lënë pas dore banorët e moshuar.

Qeveria gjithashtu nuk pranon të zbulojë se sa tokë bujqësore u është shitur subjekteve të huaja.

Në muajin qershor, bastisjet e policisë në Korporatën Australiane të Transmetimeve dhe në shtëpinë e një gazetari të Neës Corp Australia kanë shkaktuar reagime të medha.

Një-ish avokat i ushtrisë është akuzuar për rrjedhje të informacionit dhe disa gazetarë gjithashtu mund të akuzohen.

Njëri artikull ka dhënë detaje për pretendimet për krime lufte, ndërsa një tjetër ka raportuar për përpjekjen e dyshuar të një agjencie qeveritare për të spiunuar qytetarët australianë.

Që kur është miratuar legjislacioni i ri kundër spiunazhit vitin e kaluar, mediat kanë lobuar që për gazetarët dhe informatorët të bëhen përjashtime, në mënyrë që ata të raportojnë informacione të ndjeshme.

“Australianët duhet të jenë gjithmonë dyshues ndaj qeverive që duan të kufizojnë të drejtën e tyre për të ditur se çfarë po ndodh,” tha kryetari ekzekutiv i Korporatës së Lajmeve Australiane Michael Miller.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *