Vendosni fjalën kyçe....

Nxënësit detyrohen të vënë kuti në kokë gjatë provimit, për të parandaluar kopjimin


Një shkollë në Indi ka kërkuar falje pasi qarkulluan foto të nxënësve që mbanin kuti kartoni në kokë gjatë një provimi për të dekurajuar kopjimin.

Kolegji Parauniversitar Bhagat, vendosi një masë të re të mërkurën e kaluar, sipas shefit të menaxhimit të shkollës M.B. Sateesh.

Një anëtar i stafit i fotografoi studentët të ulur në karrige, me kokat në kuti kartoni. Pjesa e përparme e kutive ishte prerë, duke i lejuar studentëve që të shohin vetëm tavolinat dhe fletët e provimeve, por duke kufizuar pamjen në anë.

Fotografitë janë postuar në “Facebook” nga një anëtar i stafit dhe menjëherë janë bërë virale. Shumë shpejt, shkolla u përball me kritika në mediat sociale. Edhe ministri i Arsimit, S.Suresh Kumar, tha se praktika e shkollës ishte “e papranueshme”.

“Askush nuk ka të drejtë të trajtojë studentët si kafshët“, tha Kumar i cili premtoi të merrte masat e nevojshme. Shkolla u ka dhënë autoriteteve një shpjegim me shkrim dhe ka kërkuar falje, sipas CNN.

Sipas Sateesh vendosja e kartonave në kokë ishte fakultative. Shkolla kishte njoftuar prindërit paraprakisht – dhe vetëm studentët me miratimin e prindërve ishin përfshirë në këtë masë të re. Nga 72 studentë që iu nënshtruan provimeve afatmesme atë ditë, vetëm 56 prej tyre morën pjesë në eksperimentin me kuti.

Shkolla ishte përballur me një problem masiv dhe të vazhdueshëm kopjimi vitin e kaluar – duke çuar në eksperimente të reja kundër kopjimit, si kutitë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *