Vendosni fjalën kyçe....

A po e fsheh policia implikimin e Ledian Ruçit dhe Eqerem Braçes në Fier?


Me tre postime të njëpasnjëshme, ish-kryeministri Sali Berisha që prej ditës së djeshme ka denoncuar përfshirjen në ngjarjen kriminale të Fierit të Ledian Ruçit dhe Eqerem Braçes, djalit dhe nipit të Gramoz Ruçit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Të përmbledhura në pak rreshta, denoncimet e Berishës thonë që “djali dhe nipi i Gramoz Ruçit kanë qëlluar qytetarë dhe kanë përgjakur spitalin e Fierit. Gjatë ngjarjes ka qëlluar edhe djali i Ruçit, Lediani. Të gjitha janë filmuar nga kamerat e urgjencës por policia dhe zëvendësministri i Brendshëm po manipulojnë provat. Policia ka zhdukur edhe pistoletën e Ledjan Ruçit. Kamerat e urgjencës po prishen nga një njeri i besuar që ka çuar Armando Subashi, kryetari i Bashkisë së Fierit.”

Në një deklaratë të ditës së sotme Policia e Fierit nuk përmendte emrin e Ledjan Ruçit në komunikatë, ndërsa jepte vetëm inicialet e 5 të arrestuarve, D.B 21 vjeç, G.B 22 vjeç, A.Zh 51 vjeç, E.K 32 vjeç, A.Zh, 22 vjeç. Policia nuk ka vënë re asnjë pistoletë por ka sekuestruar vetëm një armë gjahu, dy mjete prerëse dhe 3 automjete.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi D.B, dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri, i cili është kapur dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm.”, thuhet në deklaratë.

Policia, në këtë mënyrë, mjaftohet duke komunikuar me publikun vetëm me frazën “nga veprimet e para hetimore”, duke mos dhënë asnjë detaj nëse këto veprime hetimore kanë përfshirë edhe sekuestrimin e pamjeve filmike të urgjencës së Spitalit të Fierit.

A ka patur filmime?

A kanë funksionuar kamerat që në një spital duhet të jenë 24 orë në 24?

Çfarë kanë regjistruar me saktësi kamerat?

A është përdorur pistoletë?

Kush e ka përdorur pistoletën, nëse ka patur?

Nga cila armë është qitur plumbi që ka kapur të plagosurin?

A po kryhet ekspertiza për këtë?

Ish-kryeministri Berisha është i vetmi që në lidhje me ngjarje kriminale ku janë implikuar pesha të rënda të krimit  me mbështetje të fortë qeveritare, ka guxuar t’i denoncojë i pari publikisht dhe ka meritën që për të tilla ngjarje të thyejë presion kriminal mbi mediat dhe më gjerë.

Rasti më i bujshëm ka qenë ai i Emiljano Shullazit që kërcënoi rektorin Mynor Koni, ngjarje e cila nuk po raportohej nga media, ndërsa vetë policia nuk guxonte ta hetonte për shkak të lidhjeve të dyshuara të Shullazit me ministra të rëndësishëm.

Ndaj dhe ky denoncim i përsëritur i Berishës mbi ngjarjen e Fierit ka gjasa të jetë skandali i radhës ku gangsterë të mbrojtur nga qeveria ushtrojnë dhunë dhe presione kriminale./Hashtag.al