Vendosni fjalën kyçe....

“Lufta” PS-PD për bashkinë, çfarë pritet të ndodhë sot në Shkodër


Denoncimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike kanë ndryshuar planet e PS-së për bashkinë e Shkodrës, ku i zgjedhuri Valdrin Pjetri nuk do të ketë mundësinë të ulet në karrigen e kryetarit të bashkisë.

Këshilli Bashkiak nuk mund të zgjedhë një kryetar të ri, pasi nuk ka fuqi ligjore të konstatojë  përfundimin e mandatit të kryetares aktuale nga radhët e PD, Voltana Ademin.

Por Këshilli Bashkiak i zgjedhur më 30 qershor pritet të konstituohet sot sipas një njoftimi të Prefektit të qarkut të Shkodrës. Megjithatë dega e PD-së në qytetin e Shkodrës ka paralajmëruar se sot do të zhvillohen protesta, për të ndaluar marrjen e bashkisë nga socialistët.

Për shkak të protestave të paralajmëruara, është ndryshuar vendi ku pritej të mbahej konstituimi i Këshillit Bashkiak. Konstituimi do të mbahet në orën 11:00, në sallën e Bibliotekës ‘Luigj Gurakuqi.

Në një intervistë për gazetën “Panorama“, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi  e ka konsideruar të jashtëligjshme mbledhjen e thirrur nga prefekti, për konstituimin e këshillit bashkiak.

“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe dita e hënë është një ditë e zakonshme pune për mua dhe administratën e Bashkisë Shkodër. Farsa e 30 qershorit pati një fund të turpshëm në Shkodër, në fakt ashtu siç pritej dhe siç e meritonte një proces monist. Legjitimiteti i çdo organi të dalë nga farsë-votimet e 30 qershorit, është i dyshimtë, i cunguar. Për këtë nuk ka më asnjë dyshim dhe e kanë sqaruar personalitete të jurisprudencës, konstitucionalistë, raporti paraprak i OSBE/ODIHR, diplomatë etj. Por siç themi ne në Shkodër, ajo që u konstatua me Shkodrën “i vuri kapak”. Nga ana tjetër, nisur nga precedentë, KQZ-ja dhe Prokuroria do të duhej të nisnin një verifikim urgjent për të gjithë kandidatët e tjerë të Partisë Socialiste në bashki dhe listat e këshilltarëve në të gjitha bashkitë, lidhur me të shkuarën e tyre apo zbatimin e kritereve të dekriminalizimit.

Mbledhja e thirrur nga prefekti i Shkodrës është qartësisht antiligjore. Ajo është thirrur jashtë afateve që përcakton ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Neni 48 i këtij ligji e përcakton qartë se Këshilli e zhvillon mbledhjen e tij jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent. Mbledhja thirret jo më vonë se 20 ditë nga sekretari i Këshillit dhe në mungesë të tij, nga prefekti, afat i cili ka përfunduar në datën 16 gusht 2019. Siç dihet botërisht, KQZja nuk kishte kuorum për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë. PS-ja e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor, dhe ky i fundit në datën 26 korrik përfundoi të ashtuquajturin proces dhe mori përsipër shpërndarjen e mandateve për të gjithë këshillat në të gjithë bashkitë e vendit. Me një përllogaritje të thjeshtë, nga data 26 korrik deri me 19 gusht, janë më shumë se 20 ditë. Pra, mbledhja e ditës së hënë, datë 19 gusht 2019, është thirrur nga prefekti përtej afateve, në shkelje të ligjit.

Duke iu kthyer shpërndarjes së mandateve të këshillave nga Kolegji Zgjedhor, ka një histori tjetër paligjshmërie. Është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor. Në asnjë ligj dhe në asnjë nen, Kolegjit Zgjedhor nuk i jepet e drejta të shpërndajë mandatet për të zgjedhurit për organet e pushtetit vendor. Por nuk po zgjatem, sepse siç e kam paralajmëruar, kjo do të jetë një tjetër çështje që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, pas një ankimimi që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka përgatitur dhe do ta depozitojë, ashtu siç bëmë me ankimimin e parë, për të cilin besoj se jeni në dijeni. Meqenëse ju keni interes, sepse unë e kam përsëritur disa herë këto kohë, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Ligjin funksional nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, një nga parimet e këtij ligji, është parimi i vazhdimësisë në pushtetin lokal. Neni 60, pika 4, përcakton se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Edhe ligji që citova më lart, përtej aspektit formal të interpretimit të vlefshëm të mandatit, është ligji funksional, që rregullon ushtrimin e funksionit të kryetarit në detyrë, dhe i njëjti parim ruhet edhe për këshillin vendor, deri në momentin kur përkatësisht kryetar dhe këshilli i ri që janë zgjedhur në një proces të rregullt dhe legjitim, bëjnë betimin.”, është shprehur Ademi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *