Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Patos: Vjedhjet që ka planifikuar Rama këtë verë


Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte sot në një takim në Patos, ku u tha mbështetësve të tij se kryeministri Edi Rama ka ndërtuar një sistem banditesk grabitjeje.

“Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Jo vetëm me vjedhjen e buxhetit, vjedhjen në dogana, që ka kapur nivele të padëgjuara që në ditët më të zeza të qeverisjes së Fatos Nanos, vjedhjen me tatimet, vjedhjen me tenderat. Tani po vjedhin me koncensionet dhe PPP-të. Ka shkuar çmimi për kilometër rruge në Shqipëri 5 herë më i lartë se sa në Japoninë e tërmeteve, 10 herë më i lartë se sa çmimi mesatar europian, siç është vjedhja në rrugën Milot-Balldren, siç është vjedhja në rrugën Vlorë-Orikum.”- u shpreh lideri i opozitës në takimin me strukturat e PD-së në Patos.

Për të treguar se Rama nuk do të ndalet në vjedhjet, Basha renditi edhe disa koncensione të tjera që i konsideron afera korruptive të javëve të fundit.

“Këtë verë kanë planifikuar edhe vjedhje të tjera, vjedhjen me uniformat e policisë ku kanë dyfishuar çmimin. Po bëjnë gati koncensionin 100 euro tarifë shtesë çdo biznesi për një tjetër truk me gjoja një kompani kroate, për të marrë 100 euro nga çdo biznes, a thua nuk e kanë këputur me taksa, gjoba, me çmimin e naftës, me çmimin e energjisë. Teatri, vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re, njësoj si stadiumi e kështu me rradhë.”- tha ai.

Sipas kryedemokratit, 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen e Edi Ramës. Basha iu kujtoi shembullin e Bashkisë së Patosit, ku pjesëmarrja në votime ishte e ulët.

“Sa i përket pjesmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit, ndërsa dy në tre kanë vendosur ta bojkotojnë këtë farsë dhe të rreshtohen në krahun krahun e vëllezërve dhe motrave të tyre demokratë, kundër juntës kriminale, kundër hajdutërisë, barbarisë dhe grabitjes së Edi Ramës.”- tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *