Desantila Sollaku është 25-vjeçarja që humbi jetën ditën e djeshme në Kanionet e Holtës, në Gramsh.
E reja kishte shkuar me familjen të kalonin fundjavën në Kanionet e Holtës.
Desantila kishte mbaruar studimet për infermieri në Tiranë dhe së shpejti do të largohej nga Shqipëria, për të punuar si infermiere në Gjermani.
Vëllai i saj Denisi, 20-vjeç, sapo ishte kthyer nga Gjermania. Vëllai dhe babai Dritan Sollaku 50-vjeç rezultuan dje të humbur, por arritën të gjendeshin pas kërkimeve të shumta të forcave të emergjencës. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
E ëma e Desantilës, ndodhet momentalisht e shtruar në spitalin e Gramshit.
Ditën e djeshme një grup turistësh prej 33 personash mbetën të bllokuar në Kanionet e Holtës, në Gramsh.
Ekipi i Emergjencave arriti të shpëtonte mbi 10 persona të ndodhur në rrezik, një pjesë e mirë e të cilëve fëmijë. 25-vjeçarja Desantila Sollaku u gjet e pajetë në grykëderdhjen e Kanionit të Holtës.
Grupi i turistëve ishte i paorganizuar dhe ka hasur vështirësi në kalimin e këtyre kanioneve për shkak të shirave të shumta që kanë bërë që niveli i ujit në lumë të rritet.