Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTË – Njihni restauratorin që “shëroi” veprat e Kolë Idromenos


Restauratori Olsi Laska, përgjegjës i sektorit të Konservim Restaurimit, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve GKA, ka punuar për të “shëruar” veprat Kolë Idromenos.

Ai tregon në intervistë ndërhyrjet që janë bërë nga specialistët e restaurimit, vështirësitë që kanë dalë rrugës, kënaqësia kur sheh një vepër të përfunduar, por edhe sfidat e radhës.

Cila është vepra që ju ka lodhur më shumë?

Për restauratorin çdo vepër arti ka vlerat dhe rëndësinë e saj. Vepra “Kur hyn dreqi në shtëpi”, na ka marrë më shumë kohë, nga problematikat e shumta që kishte dhe dimensionit të saj të madh. Kjo vepër, kur ka ardhur në Galeri, në vitin 1994, ka qenë e palosur, gati sa një format A4. Në ato vite i është bërë një ndërhyrje konservuese me kushtet dhe materialet e kohës, që e ka shpëtuar veprën nga rënia e pelikulit të ngjyrës. Kjo ishte një vepër si “pazëll”. Na u desh të mblidhnim copat, t’i bashkonim. Për ne ishte një sfidë dhe jemi krenarë që arritëm në këtë rezultat.

Ku konsistoi ndërhyrja juaj?

Së pari u hoqën mbetjet e  letrës japoneze dhe ngjitësve të përdorur nga ndërhyrjet e mëparshme, u hoq kanavaca (dublura) që ishte ngjitur nga mbrapa, ngjitësa, adezivë, qepjet me pe… Më pas vepra u vendos në një shasi provizore dhe e gjithë sipërfaqja u vesh me letër japoneze dhe ngjitës “lepuri”. Vepra nga pas ishte lyer me bojë të kuqe, e cila e mbante kanavacën të ngurtë dhe me rrudha. Boja nuk e linte kanavacën që të tendosej dhe gjithashtu pengonte një lidhje të mirë dhe rezistente me kanavacën e re, gjë që na e bënte punën edhe më të vështirë. Vendosëm që ta hiqnim bojën në mënyrë manuale, me bisturi dhe letër smeril. Ishte një punë shumë delikate, pasi duhet të tregoheshim shumë të kujdesshëm, që të mos dëmtonim gruntin dhe pelikulin e ngjyrës. Pasi u pastrua pjesa e pasme e veprës nga boja dhe papastërtitë e ndryshme, kanavaca u lirua plotësisht dhe me hekurosje të gjitha rrudhat u eliminuan. Më pas vepra u vendos në kanavacën e re, e cila paraprakisht u trajtua dhe u tendos në shasi alumini, e cila shërben për dubluarat e veprave. E gjithë puna është bërë në mënyrë manuale nga tre specialistët e sektorit tonë, pa ndihmën e  tavolinës me vakum, që përdoret në këto procedura. Shtrirja e veprës është bërë me hekur. Kemi punuar së bashku për ta hekurosur, duke ndërruar njëri-tjetrin. Në fund arritëm me sukses të mbyllnim pjesën e konservimit të pikturës, pasi për përmasat e veprës dhe për kushtet që ka GKA, përbënte një sfidë për sektorin tonë.

Cilat janë veprat e tjera që paraqisnin probleme të ngjashme?

I njëjti proces ka ndodhur edhe me “Portretin e Mati Kodhelit” dhe veprën “Portret Plaku”, që akoma nuk e kemi identifikuar se cili është. Presim që këto ditë, të ketë ndoshta ndonjë reagim, për ta identifikuar. Të dyja këto vepra paraqisnin pak a shumë të njëjtat problematika. Edhe në librin e Mikel Prenushit të vitit 1984, konstatohen këto dëmtime, që kanë ardhur deri sot.

Kur datojnë këto vepra?

Sipas botimeve për Idromenon, “Portret Plaku”, është një vepër 100-vjeçare. “Portreti i Mati Kodhelit” i përket vitit 1881, ndërsa viti i veprës “Kur hyn dreqi në shtëpi” nuk dihej, pasi ishte i mbuluar me bojë, por doli gjatë procesit të restaurimit. Është vepër e vitit 1899.

Restauratori Olsi Laska

Për një restaurator, ku qëndron më së shumti vështirësia, tek trajtimi një portreti apo një peizazhi, kompozimi…?

Tek portretet vështirësia lidhet me vetë teknikën e restaurimit, pasi në to, restauratori nuk duhet të shprehë vetveten. Nëse nuk e njeh imazhin, nuk mund të krijosh sipas imagjinatës tënde. Në këto raste, gjithnjë veprohet me viza (rigatino), ose me tonet neutrale. Vepra lexohet nga larg, por po të afrohesh, ndërhyrja është e dallueshme. Restauratori nuk duhet të arrijë në pikën që të imitojë artistin dhe të fusë veten e vet. Në dy veprat që ju përmenda më sipër, ne kemi arritur t’i sjellim ato në një gjendje të mirë. Është e vërtetë që ka humbje dhe rënie të pelikulit, por nuk kanë problem për gjendjen, vepra është e konservuar. Edhe për 50 apo 100 vjet të tjera, këto vepra nuk do të kenë probleme në qoftë se do të ruhen në kushte të mira ndaj lagështisë, temperaturës dhe agjentëve termikë. Ndërsa për pjesën estetike, duhet të vendosim se çfarë qëndrimi do të mbajmë. Në këtë pikë do të shohim reagimin e publikut, të kolegëve dhe të studiuesve të artit dhe në mbyllje të ekspozitës, të shohim nëse do të ndërhyjmë në anën estetike apo do ta lëmë Idromenon me shenjat që i ka lënë koha, të cilat tashmë janë pjesë e historisë së veprës.

Të gjitha veprat e kësaj ekspozite kanë kaluar në duart tuaja?

Shumica e këtyre veprave kanë kaluar në procesin estetik, atë të bërjes së vizitueshme. Ne kemi menduar që edhe vitin që vjen, veprat e Idromenos të vazhdojnë procesin e restaurimit. Kemi disa punë, si “Pamje nga Ulqini” apo “Dasma Shkodrane”, të cilat janë lënë për më vonë, pasi ato paraqesin të tjera problematika. Kur në një vepër është ndërhyrë më parë, përgjegjësia është më e madhe se me punët e paprekura, sepse duhen vlerësuar dhe bërë provat mbi materialet e përdorura, nëse këto ndërhyrje duhen hequr ose jo. Ndaj edhe ne i lamë për një moment të dytë.

Prej sa vitesh merreni me restaurim?

U bënë 10 vjet tashmë. Ishte një fat të ndiqja Shkollën e Restaurimit, të zhvilluar nga UNESCO, pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, në vitin 2009-2010. E quaj fat, sepse punuam me specialistë të përzgjedhur nga UNESCO dhe me teknikat dhe materialet e kohës.

Duhet të jetë një profesion që kërkon shumë durim dhe kohë…

Durimi në profesionin tonë është pjesë e punës, i cili fillon me hulumtimet paraprake, fotografimi i të gjitha fazave, konsolidimi, pastrimi dhe faza estetike. Secila nga këto faza ka rëndësinë e saj. Pastrimi është shumë delikat, pasi duhet të jesh i kujdesshëm në heqjen e shtresave të vernikut, velaturave dhe të papastërtive mbi vepër. Pjesa manuale që realizohet me bisturi, kërkon shumë kujdes, duke përdorur lente e mikroskop në varësi të ndërhyrjes, gjithashtu dhe pjesa kimike- fizike, kërkon njohuritë dhe kujdes. Gjithçka është me masë. Pjesa estetike është sa e bukur aq dhe delikate, sepse është faza e fundit e restaurimit dhe ajo çka do shohë publiku. Çdo 15-20 minuta duhet të çlodhësh sytë dhe të kthehesh e ta shohësh veprën me një sy të freskët, por edhe duhet të kontrollojmë e të kujdesemi për kolegët.

Është një punë paskuintash, por kur nxirrni një vepër në dritë duhet të ketë shumë kënaqësi apo jo?

Pjesa e bukur është kur ti ua tregon njerëzve punën e përfunduar. Sigurisht kur një vizitor vjen në ekspozitë, ai nuk e di se si ka qenë më herët ajo vepër. Për shembull në rastin e pikturës “Portret Plaku”, vizitorët është e sigurt që do të merren me “pikat” në pikturë, por nëse do ta dinin se si ka qenë ajo më parë, sigurisht që nuk do të merreshin me to. Në rastin e “Kur hyn dreqi në shtëpi”, nuk arritëm të hynim në pjesën estetike, pasi ajo kërkon ndoshta një vit punë, për të mbushur plasaritjet. Ne vendosëm që stukimet të ngjyroseshin me kafe të errët, gati në të zezë, që të dilte në pah drita e pikturës dhe imazhi i veprës të lexohej. Kjo është teknikë që përdoret në raste të tilla. Është një qëndrim që mbahet nga ana e restauratorëve. Publiku ka mundësi të lexojë veprën, artistin, ndërsa puna e restauratorit është e ndarë nga vepra. Tanimë duhet të vendosim nëse veprën duhet ta lëmë kështu, apo do të hyjë edhe restauratori dhe te plotësojë me një ton më të ulët apo me viza. Kjo teknikë lejon leximin e gjithë figurës, por nga afër ato janë të dukshme.

Pak më parë ju thatë se veprat, në të cilat është ndërhyrë më herët, paraqesin më tepër vështirësi, sidomos në mungesë të skedave përkatëse. Sa i rëndësishëm është dokumentimi i procesit të restaurimit?

Për konservimin dhe restaurimin, dokumentimi fotografik dhe ditari i ndërhyrjeve, është një proces sa i bukur, aq edhe i rëndësishëm. I bukur, sepse përgjatë tij, bëhet krahasimi mes fotografive, se si ka qenë dhe si është. Ndërsa dokumentimi në kartela e konservim-restaurimit, ku shënohen të gjitha problematikat dhe ndërhyrjet, është po aq i domosdoshëm, pasi dhe pas shumë vitesh, restauratorët e tjerë nuk do të humbasin kohë duke bërë prova si ne, por do t’i kenë të dokumentuara të gjitha ndërhyrjet, materialet, në kartelat e veprave. Materialet e restaurimit janë riversibël, që edhe pas shumë vitesh, ashtu si janë aplikuar, ashtu edhe mund të hiqen.

Cila është sfida e radhës për sektorin tuaj?

Vepra “Dy rrugët” është sfida e radhës për sektorin tonë, një tablo që ka ardhur nga Muzeu “Oso Kuka” dhe do t’i nënshtrohet restaurimit së bashku me pikturën “Dasma Shkodrane”

VINI RE: Intervista është pronësi intelektuale e ATA

Shkrimin origjinal mund ta lexoni këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *