Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli i Europës tërhiqet në çastet e fundit, nuk sjell vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit


Këshilli i Evropës ka vendosur të anulojë delegacionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri. Ky vendim vjen vetëm 4 ditë para zgjedhjeve.

Përmes një njoftimi, KiE thotë se e ka ndërmarrë këtë veprim për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë në zona të caktuara.

“Këshillit të Evropës ka vendosur të mos vendosë një Delegacion të Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do mbahen zgjedhjet.

Ju kërkojmë ndjesë për çdo problem që mund t’ju shkaktojë anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë për të korresponduar me Kongresin.”, thuhet në njoftimin e KiE-së.

Maxhoranca duket e vendosur të mbajë zgjedhjet më 30 qershor, pavarësisht se presidenti Ilir Meta është treguar i qartë me dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve. Maxhoranca e ka konsideruar dekretin e Metës të paligjshëm dhe madje sot në Komisionin e Ligjeve është miratuar ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar ndaj dekretit të presidentit.

Opozita nga ana tjetër shpreh siguri se zgjedhjet nuk do të mbahen, ndërsa qarkullojnë zëra për përplasje më 30 qershor. Kryedemokrati Lulzim Basha mbrëmjen e kaluar, u bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë zgjedhjet dhe kërkoi të mos kryhen veprime të dhunshme. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *