Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtarja Regleta Panajoti konfirmohet në detyrë, shkëlqeu në përballjen me trupën e Vettingut


Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti është konfirmuar sot në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Panajoti është në garë për një post në Gjykatën Kushtetuese.

Trupi gjykues i përbërë nga treshja Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj e Valbona Sanxhaktari e shpalli sot vendimin

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut theksoi se ndaj kandidates për një nga vendet në Gjykatën Kushtetuese ishte bërë hetimi në të tre kriteret.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi mundësitë financiare të gjyqtares së Tiranës Regleta Panajoti, njëkohësisht kandidate për në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas relatorit, Hamitaj, Panajotit i mungonin 3.9 milion lekë për të justifikuar investimet e bëra. Gjyqtarja e kundërshtoi qëndrimin e KPK-së mbi deklarimin e kursimeve ‘cash’ në vite, duke thënë se nuk kishte pasur detyrim ligjor t’i deklaronte ato.

Panajoti foli me hollësi duke përmendur ndër të tjera faktin se në kohën kur ajo pretendonte që bashkëshorti kishte punuar në Greqi emigrant, fëmija i tyre kishte kryer vizita mjekësore në Veria të Greqisë. Gjyqtarja përmendi gjithashtu dokumentet e punësimit të të shoqit dhe një libër shëndeti fëmije të lëshuara nga shteti grek.

Ajo tregoi ekzistencën e një llogarie bankare në një bankë të nivelit të dytë, paratë në të cilën ishin depozituar me përshkrimin: ‘para të fituara në emigracion.’ Panajoti këmbënguli se emigracioni kishte qenë për ta një përpjekje për ekzistencë dhe se kjo duhej mbajtur në konsideratë.

Panajoti u fokusua gjatë në vlerësimin e kursimeve të familjes. Ajo bëri një pasqyrë të detajuar të të ardhurave të saj dhe të bashkëshortit, ndërsa këmbënguli se mosdeklarimi i gjendjes cash në vite nuk mund të konsiderohej penalizues.

Gjyqtarja deklaroi se megjithëse nuk ishte deklaruar kjo shumë kishte ekzistuar. Sipas ligjit tha ajo shuma cash nuk kishte qenë detyrim për deklarim deri në vitin 2014.

Ajo tha se ky detyrim ishte përfshirë specifikisht në vitin 2014, duke kërkuar deklarimin e të ardhurave “jashtë sistemit bankar”.

Ajo tha se nuk kishte pasur asnjë pengesë për të mos i deklaruar kursimet cash, por këmbënguli se ato vinin nga burime të ligjshme si pagat.

Panajoti i kërkoi KPK që të konsideronte si mundësi kursimi të saj dhe bashkëshortit shumën e të ardhurave të tyre që mbetej pas zbritjes së shpenzimeve minimale jetike për vitet (2002-2007) për të cilat ishte bërë analiza.

Sipas saj vetëm nga këto të ardhura ajo dhe bashkëshorti kishin pasur mundësi të kursenin 64 mijë euro, duke konsideruar si shpenzime për këtë periudhë vetëm shumë prej rreth 4 milion lekësh.

Panajoti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë.

Ajo ka kandiduar në dy thirrje të hapura për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që procesi i vlerësimit të kandidatëve është duke u kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *