Vendosni fjalën kyçe....

I dha titullin kampion pas 26 viteve, Skënder Gega largohet nga Partizani


Vetëm pak ditë nga rikthimi te titulli kampion në Kategorinë Superiore, një trofe që u mungonte “të kuqve” prej 26 vitesh, vjen edhe surpriza më e bujshme e ditëve të para pas epilogut të kampionatit shqiptar të futbollit, raporton Top Channel.

Trajneri që nxori kampion të Shqipërisë ekipin e Partizanit, Skënder Gega, është larguar nga drejtimi i pankinës për më tej. Ndarja mes “trurit” të suksesit të sivjetshëm dhe klubit kryeqytetas thuhet të jetë konsensuale, me palët që janë takuar dhe kanë vendosur të përfundojnë bashkëpunimin mes tyre.

Nuk dihen detaje të tjera për këtë zhvillim të bujshëm, por kjo përbën me të vërtet çudi, pasi trajneri Gega dukej tejet i lumtur për suksesin që kori së bashku me ekipin e “demave të kuq” këtë sezon të Superiores, duke bërë edhe dedikimet e tij speciale për trofeun.

Mbetet për t’u parë se cila ka qenë arsyeja e kësaj shkëputjeje të bujshme, në një kohë që Partizanit i duhej shumë qetësia dhe sigurisht edhe një merkato e fuqishme gjatë kësaj vere, për t’u përgatitur seriozisht për turet kualifikuese të Champions League.