Vendosni fjalën kyçe....

Pa kushte higjienike- Bllokohen 257 kilogramë produkte mishi në Durrës, mbyllet biznesi


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës ka bllokuar sot një subjekt, ku kryhej therja e paligjshme e kafshëve të gjalla si dhe ka konfiskuar 257 kg produkte mishi të për asgjësim.

Në njoftimin e AKU-t, thuhet se ky subjekt në fshatin Katundi i Ri kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambjent të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit.

Po ashtu thuhet se ky ambient ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla.

“Në vijim të informacionit të ardhur në platformën e komunikimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, nga qytetarë të përgjegjshëm që njoftojnë raste të cënimit të sigurisë ushqimore, Drejtoria Rajonale e AKU-së Durrës ushtroi kontroll në subjektin Ramiz Shala (Katundi i Ri, Durrës) për therjen e paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.

Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se subjekti kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambjent të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit.

Ambjenti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla. Mbetjet teknologjike të procesit të therjes të kafshëve të gjalla (ujërat, gjaku etj), përfundonin në kanal, duke mos u grumbulluar dhe u trajtuar në ndonjë ambjent të posaçëm, duke kontaminuar mjedisin përreth.

Në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produkti ushqimor “Sallam”, për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion në formën e kartës teknologjike apo etiketë mbi përbërësit dhe procesin e përgatitjes së tij. Në subjekt u evidentuan 257 kg produkte ushqimore (mish dhe nënprodukte të tij) të pacertifkuara dhe të pavulosura nga veterineri zyrtar, si dhe pa dokumentacionin përkatës (specifikisht 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam).”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Për shkeljet e evidentuara, AKU vendosi masat administrative:

  1. Gjobë në vlerën 100,000 lekë për therje të kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme,
  2. Gjobë në vlerën 150,000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore,
  3. Konfiskim të produkteve ushqimore (të cilat do t’i nënshtrohen procesit të asgjesimit) dhe mjetet e punës (çengela, thika etj) me të cilat është kryer aktiviteti i paligjshëm,
  4. Bllokim i ambientit të improvizuar dhe të përdorur për kryerjen e procesit të paligjshëm të therjes së kafshëve të gjalla.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *