Vendosni fjalën kyçe....

Balla letër kreut të SPAK-ut: Në çfarë faze janë hetimet për kallëzimin ndaj Berishës, familjarëve të tij e Imamit


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka dërguar një letër kreut të SPAK-ut, Arben Kraja.

Përmes kësaj letre, ai i kërkon Krajës të zbulojë në ç’fazë janë hetimet për kallëzimin që ai ka bërë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit Arben Imami, vajzës së ish-kryeministrit Argita Malltezi dhe bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi.

Kreu i SPAK-ut, Kraja i është përgjigjur Ballës se e kanë regjistruar padinë e tij dhe janë në fazën e hetimeve.

“Pas verifikimeve të kryera, në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton që, më datë 1.12.2020 është regjistruar procedimi penal nr. 287, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i K. Penal, pa emra të regjistruar. Ky procedim është në fazën e hetimit.“- thuhet në përgjigje të letrës.

Kujtojmë se dy vite më parë, Balla i ka kallëzuar penalisht në SPAK personat e lartpërmendur, për privatizimin e pronës shtetërore ish-Klubit Partizani, një sipërfaqe rreth 10 mijë m2, në qendër të Tiranës, ku sot janë ndërtuar 17 kulla.

Balla i akuzon ish-zyrtarët e lartë për shpërdorim detyre, ndikime të paligjshme, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion.