Vendosni fjalën kyçe....

Kompanitë me borxhe, 13% e të mëdhave financohen nga fajdet


Rënia e kredisë në banka po shoqërohet me një rritje të financimeve nga tregu i zi.

Banka e Shqipërisë në një vrojtim me mbi 1300 biznese gjeti se huamarrja informale ishte një burim i rëndësishëm financimi për bizneset. Rreth 42.2% e totalit të ndërmarrjeve që janë përgjigjur (gjithsej 465 ndërmarrje) pohojnë që kanë një hua për të paguar dhe kjo peshë ka shënuar një rënie të lehtë (me 0.3 pp) krahasuar me vrojtimin e gjashtëmujorit të parë 2018.

Në këtë aspekt, huamarrja informale si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 16.3% e ndërmarrjeve të vogla, 7.0% e ndërmarrjeve të mesme dhe 13.4% e ndërmarrjeve të mëdha në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018.

Ndërmarrjet deklarojnë se i janë drejtuar kryesisht sektorit bankar si burim huamarrjeje (85.4% e totalit) dhe kjo peshë ka shënuar një rënie vjetore me 6 pikë %.
Të ndara sipas madhësisë, 79.1% e ndërmarrjeve të vogla, 91.2% e atyre të mesme dhe 85.1% e ndërmarrjeve të mëdha, kanë përfituar hua vetëm nga bankat.

Në terma 6-mujorë, pesha e numrit të ndërmarrjeve huamarrëse nga bankat duket se është rritur vetëm në rastin e ndërmarrjeve të mesme, ndërkohë që ka mbetur e pandryshuar për ndërmarrjet e vogla dhe në rënie për ato të mëdha.

Të pyetur se si do të vepronin nëse nuk do të financoheshin nga bankat, pjesa kryesore e ndërmarrjeve të vogla (54.5%), atyre të mesme (44%) dhe të mëdha (41.1%), pohojnë se do të merrnin hua nga burime alternative, dhe këto pesha janë rritur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Ndërkohë, rreth 39.8% e ndërmarrjeve të mëdha, 34% e ndërmarrjeve të mesme dhe 28% e atyre të vogla, kanë deklaruar se do të riaplikonin në një bankë apo institucion tjetër financiar.

Gjatë periudhës, duket se përqindja e ndërmarrjeve që pohojnë se do t’i shtyjnë në kohë planet e tyre për zgjerim ka rënë krahasuar me vrojtimin e kaluar, për të tre grupet e ndërmarrjeve.
Ndërmarrjet që nuk kanë aplikuar për hua, në shumicën e rasteve, pohojnë se nuk e kanë të nevojshme për veprimtarinë që kryejnë, dhe pesha e kësaj kategorie rezulton më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *