Vendosni fjalën kyçe....

Skocia kërkon një referendum të dytë për pavarësi


Kryeministrja e Skocisë, e cila në këtë vend njihet si ministrja e parë, Nicola Sturgeon, ka thënë se do ta propozojë legjislacionin e ri për mbajtjen e referendumit të dytë për pavarësinë e këtij vendi nga Londra, duke shtuar se ai duhet të mbahet para majit të vitit 2021, nëse Britania largohet nga BE-ja.

Ajo tha se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të kishte një ndikim shkatërrues në ekonominë e Skocisë dhe se qëndrimi i qeverisë britanike ndaj këtij procesi ka qenë aq kaotik, saqë votuesit skocezë duhet ta kenë të drejtën për ta zgjedhur pavarësinë si mundësi.

Gjatë një fjalimi të shumëpritur në kuvendin skocez, Sturgeon tha se legjislacioni i propozuar do ta përcaktonte mënyrën e mbajtjes së referendumit në rast se qeverisë i ofrohet nga kuvendi e drejta për ta organizuar një proces të tillë.

Megjithatë, qeveria britanike bëri të ditur të martën se kryeministrja May asnjëherë nuk do ta autorizojë mbajtjen e këtij referendumi. “Tani nuk është koha”, kishte thënë May në mars të vitit 2017, kur kryeministrja skoceze kishte bërë thirrje për referendum.

Sturgeon e kishte shtruar për herë të parë kërkesën për legjislacion të ri për referendumin e dytë në qershor të vitit 2016, menjëherë pasi shumica e britanikëve votuan për largimin e vendit të tyre nga Bashkimi Evropian.

Sidoqoftë, bazuar në të dhënat e anketave, shumica e popullsisë skoceze janë kundër pavarësisë. Pavarësisht kësaj statistike, besohet që shumica do ta mbështesnin mbajtjen e një referendumi për këtë çështje në dekadën e ardhshme, shkruan “The Guardian”.