Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti financoi koncesionet e mbetjeve me 11 milionë euro në 2018-ën


Impiantet e menaxhimit të mbetjeve me koncesion në qytetet Elbasanit dhe atë të Fierit u financuan me rreth 11 milionë euro (1,35 miliardë lekë) sipas të dhënave zyrtare të thesarit nga Ministria e Financave.

Financimet më të mëdha u dhanë për impiantin e mbetjeve në Fier me mbi 752 milionë lekë ose 6 mln euro dhe për inceneratorin e Elbasanit u dhanë 4.8 milionë euro.

Për inceneratorin e Fierit është disbursuar gjysma e fondit të programuar, teksa punimet kanë nisur vitin e kaluar. Sipas të dhënave Integrated Technology Waste Treatment Fieri ka marrë mbi 1.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit deri në fund të vitit të kaluar, teksa i gjithë impianti kushton 3,6 miliardë lekë.

Për inceneratorin e Elbasanit janë disbursuar mbi 2 miliardë lekë nga 2.9 miliardë lekë që kushton gjithsej impianti.

Shqipëria gjeneroi 436 kg mbetje për frymë për vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, duke u renditur mes vendeve që kanë një nivel të ulët të mbetjeve për frymë (në vend të 24 nga 38 shtete të raportuara).

Në të kundërt, Eurostat e rendit Shqipërinë të tretën në listën e atyre pak vendeve europiane që përdorin metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave. Në vend të parë është Gjermania, që ka përpunuara 27 kg/frymë, e ndjekur nga Sllovenia me 18 kg dhe e treta është Shqipëria me 7 kg për frymë.

Në total janë vetëm 9 shtete që e kanë përdorur metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave në 2017-n, sipas raportimit të Eurostat. Ky proces mbulon djegien e mbeturinave ku qëllimi kryesor i djegies është trajtimi termik i mbeturinave në mënyrë që të zvogëlohet vëllimi dhe rrezikshmëria e mbeturinave dhe të merret një produkt inerte.

Përfitimi i energjisë përmes incenerimit apo landfillet janë opsionet më pak të preferueshme për mbetjet. Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se gjatë djegies çlirohet dioksina që kanë një sërë efektesh toksikë në trupin e njeriut dhe klasifikohen si kancerogjene. Ato mund të japin efekt edhe tek pjesa hormonale dhe imune në trup.

Niveli i përpunimit të plehrave përmes metodës së incenerimit në Shqipëri pritet të rritet më tej, pasi aktualisht në funksion është vetëm inceneratori i Elbasanit dhe në projekt janë dhe dy të tjerë në Fier dhe Tiranë, të cilat pritet ta çojnë kapacitetin përpunues në 130 kg për frymë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *