Vendosni fjalën kyçe....

Dalin pamje të tjera nga grabitja në Rinas, autorët me armë në shkallët e avionit


Pamje të reja kanë dalë nga grabitja në aeroportin e Rinasit pasditen e sotme ku dyshohet se janë rrëmbyer rreth 10 milionë euro.

Nga fotot e publikuara nga BalkanWeb shihen dy autorët të cilët nën kërcënimin e armëve rrëmbejnë paratë të cilat do transportoheshin me avionin e linjës drejt Tiranë-Vjenë.

Në pamje duket grabitësi tashmë i vrarë nga policia, me syze por pa maskë në fytyrë, jelek të zi dhe pantallona të zeza. Ai ndodhet anash avionit, pranë barkut, ku ndodheshin edhe paratë.

Para tij, ndodhet grabitësi tjetër por me uniformë tjetër, me lara ushtarake (uniformë operacionale) teksa me armën e ngritur kërcënon punonjësit.

Të dy grabitësit mbajnë në duar doreza. Po kështu duken edhe bagazhet teksa futen në avion.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 15:00, teksa pesë persona i janë afruar me një mjet ku shkruhej “hetimi tatimor”, aeroportit. Tre kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, dy të tjerë kanë qëndruar në makinë.

Sapo kanë marrë paratë autorët janë larguar por janë përballur me FNSH-të dhe policinë kufitare të Rinasit në një rrugë dytësore ku kanë shkëmbyer zjarr.

 Gjatë shkëmbimit të zjarrit dyshohet se ka humbur jetën dhe grabitësi që duket qartë në foto, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë qëlluar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, pasi ka qenë i vetmi pa maskë. Viktima u hodh pranë lumit në urën e Tapizës nga pjesa tjetër e grupit. Ai nuk kishte asnjë mjet identiteti.

Policia ka gjetur furgonin me të cilin u krye vjedhja brenda të cilit kishte armatim. Ndërkohë që një automjet tjetër i cili u gjet i djegur mes Tapizës dhe Bathores dyshohet se është përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga aeroporti.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të tjerë grabitjes. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *