Vendosni fjalën kyçe....

Basha zotohet përpara banorëve të Rrogozhinës: 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët! (VIDEO)


Kryetari i PD-së Lulzim Basha sot ndodhet në një takim me qytetarët e Rrogozhinës. Në fjalën e tij, Basha u zbuloi fermerëve të rrogozhinës planet e PD-së për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata po përballen sot.

“PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Dhe ai fillon me marrjen e qindra-miliona eurove të shqiptarëve nga xhepat e oligarkëve me anulimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar.

Ne do t’i japim fund njëherë e mirë diskriminimit të fermerit të Rrogozhinës, diskriminimit të fermerit shqiptar. Ne do të fillojmë që prej ditës sonë të parë, skemën më të madhe të subvencionimit, familje për familje, fermer për fermer të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

Çdo prodhim bujqësor, drithëra, zarzaveta, fruta-perime, qumësht dhe produktet e qumështit do të subvencionohen nga shteti shqiptar nën qeverisjen e Partisë Demokratike, sipas modeleve europiane, sipas modeleve të sukseshme të rajonit. Miqtë e mi ne do ta bëjmë këtë pa hile, do ta bëjmë këtë në radhë të parë duke mundësuar që lekët e subvencionit të shkojnë drejtpërdrejt te fermeri, jo te grumbulluesi, apo te sekserët.

Së dyti ne do ti japim fund hiles së madhe të ndryshimit të TVSH-së për prodhimet bujqësore. Duke hequr rimbursimin e TVSH-së, duke e kthyer nga 20-6% Edi Rama ka goditur drejtpërdrejt fermerët shqiptarë, sepse u ka lënë vetëm 3 rrugë prodhimeve tuaja. Ose të përfundojnë në treg me çmim 14% më të rritur, ose që grumbulluesi apo fermeri ta shesë me 14% më pak, ose fermeri t’ja çojë 14% më pak. Pra ju ka ulur 14% fitimin fermerëve shqiptarë.

Pastaj kur pa protestën e blegtorëve ka shpallur se gjoja do të subvencionojë me 10 lekë prodhimin e qumështit. Pra e ul me 14 dhe premton të subvencionojë 10.”, tha Basha.

Më pas kryedemokrati premtoi subvencionimin me 100 milionë euro në vit për fermerët.

“Zubvencionimi 100 milionë euro në vit do të bëjë të mundur që djersa e fermerit të Rrogozhinës, djersa e fermerit shqiptar të nderohet në treg dhe t’i japë familjeve që jetojnë me tokën dhe blegtorinë jo thjesht mbijetesën por mirëqenien. Me 100 milionë euro në vit fermerët shqiptarë do të jenë fermerët më të mbështetur nga qeveria, në krahasim me çdo fermer tjetër të Ballkanit. Zotohem për këtë përpara jush. Ky është prioriteti i PD-së.”, premtoi kryedemokrati.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *