Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: S’ndalemi deri në largimin e Ramës, konsensus vetëm për zgjedhje të parakohshme


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka folur nga protesta duke deklaruar se e sotmja ishte drejtuar nga studentët.

Ndërsa tha se opozita e bashkuar është në moment sensibilizimi të shqiptarëve  të cilët e kanë kuptuar tashmë se çdo gjë këtu ka marrë fund dhe duhet të ndryshojë sa nuk është ende shumë vonë.

“Sot është protesta e të rinjve, është protesta e studentëve. Mbasi dëgjuan pardje fjalimin e Paktit të Mashtrimit, Rama akoma nuk ka parë gjë akoma.” – tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se protestat nuk do të ndalojnë, deri në largimin e Edi Ramës. Ajo theksoi se largimi i  Ramës e bën Shqipërinë një vend normal dhe europian, e cila deri tani konsiderohet si parajsë e drogës dhe e parave të pista.

“Jemi akoma në periudhën e sensibilizimit, shqiptarët janë sensibiluar më shumë se kushdo tjetër. Por po sensibilizojmë socialistët në parlamentin e Edi Ramës, po sensibilizojmë edhe atë pjesë të Rilindjes, e cila e kupton vetë që çdo gjë ka marrë fund, por është vetëm një zvarritje, e cila shton edhe më shumë dëmin në rradhët e Partisë Socialiste, se sa opozitës së vërtet shqiptare. Protestat nuk do të ndalojnë, 13 prill, 23 prill deri sa në Shqipëri të vendoset njëherë e mirë një sistem i vlerave dhe jo një sistem i antivlerave që ka ngritur Edi Rama.” – shtoi ajo.

E pyetur nga gazetarët për mundësinë e arritjes së konsensusit, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi gjatë protestës së sotme, se konsensusi është shumë i thjeshtë, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Kryetarja e LSI-së tha se kryeministri Rama është regjisori dhe skenaristi i të gjithë procesit makabër të vjedhjes së zgjedhjeve të vitit 2017.

“Konsensusi është shumë i thjeshtë. Zgjedhje të parakohshme, ku të jenë të lira dhe të ndershme. Nuk ka më asgjë tjetër. E rëndësishme është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është regjisori, skenaristi dhe aktori kryesor i të gjithë procesit makabër të zgjedhjeve të 2017. Këtë nuk e kemi vërtetuar ne. Këtë e ka vërtetuar prokuroria shqiptare. Këtë e kanë vërtetuar mediat e huaja, dosja 339, dosja 184 që ka gjëra akoma edhe më të rënda. Ajo që e vret më shumë Edi Ramën dhe e largon nga e vërteta, por rri dhe merret me barcaleta  është sepse në ato përgjimet e dosjes 184, Edi Rama ka treguar dhe ka demaskuar skemën e votave në këmbim të parcelave të hashashit. Atë që përdori në 2017.” – mbylli Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *