Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e Kryetarëve merr vendimin: Raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri mbahet më 23 Maj


Raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës do mbahet më 23 maj në orën 18:00.

Ky është vendimi i marrë sot në Konferencën e Kryetarëve.

 “Kush është dakord që data e radhës për raundin e dytë të jetë data 23 maj? Po, miratohet.”- tha kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në përfundim të mbledhjes.

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve pati debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ftoi homologun Enkelejd Alibeajn që të ulen dhe të diskutojnë në lidhje me propozimet e opozitës për kreun e ri të shtetit.

“Unë s’po ju vendos asnjë kusht. Hajde sille dhe dokumentin, ulemi unë jam gati bashkë me zonjën Spiropali, po vjen dhe zoti Gjiknuri. Hajde ulemi e diskutojmë siç diskutojmë ligjet nen për nen dhe nëse biem dakord e firmosim dokumentin për të finalizuar marrëveshjen dhe të kalojmë te emrat.”- tha Balla.

Alibeaj u përgjigj se ishte i gatshëm që sot të bënte negociata për këtë, qoftë edhe pa e ndërprerë farë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.