Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 100 studiues në konferencën “Studime akademike mbi Sjelljen Njerëzore, Edukimin dhe Shkencat Sociale”


Konferenca ndërkombëtare “Studime akademike mbi Sjelljen Njerëzore, Edukimin dhe Shkencat Sociale” e organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Universitetin “La Sapienza”në Romë”, bashkoi bashkë mbi 100 studiues.

Punimet e konferencës u zhvilluan nën mbikqyrjen shkencore të MSer – organizatë që zgjodhi përsëri Shqipërinë pas 7 vitesh nga dita e koferences së parë të këtij lloji, organizuar në vendin tonë.

Kjo organizatë, përzgjodhi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë si organizator kryesor të eventit me rastin e 10 vjetorit të themelimit të tij. Konferenca solli mbi 100 punime në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore nga studiues të këtyre fushave, prej të cilëve 45 ishin të huaj.

Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli mbajti fjalën e hapjes së kësaj Konference.

“Zhvillimet ekonomike të viteve të fundit, do të duhet t’i përgjigjen dhe të sigurojnë më mirë kohezionit social dhe territorial të një vendi, në mënyrë të tillë që benefitet e rritjes ekonomike si dhe hapjes së vendeve të reja të punës t’i sigurojnë popullsisë që të jetojnë me dinjitet, duke u bërë pjesë aktive e shoqërisë”, tha Akademik, Pr.Dr Anastas Angjeli.

Ai u shpreh se kësisoj, të dhënat ekonomike do të bëhen më të kuptueshme dhe më të plota për publikun dhe më të përshtatshme për politikëbërësit kur flasin për zhvillimin ekonomik duke pasur parasysh edhe faktorë të tillë si: degradimi ambiental dhe cilësia e jetës, shkenca, arsimi, shëndetësia, punësimi, mirëqenia apo varfëria.

I pranishëm në panel ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e përshëndeti konferencën e organizuar, duke theksuar se vlera e vërtetë e eventeve të tilla shkencore qëndron në zbatimin praktik në vijim të konkluzioneve apo studimeve me vlerë për qytetarët.

Të tjerë të ftuar në panel ishin: Nada Kakabadase, përfaqësuese e Akademisë Europiane të Shkencave, Nicholas Theodorakoulos, Shef i Departamentit të Psikologjisë organizative dhe Shkollën e Biznesit Aston (Angli), autor i mbi 50 botimeve shkencore në fushën e Sipërmarrjes, Burimeve njerëzore, Zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm etj.

I pranishëm ishte gjithashtu, Akademiku Mustafa Aydin, president i EURAS, Prof. Dr. Armend Kadriu nga Universiteti i Strugës në Maqedoninë e Veriut dhe Prof. dr. Ksenofon Krisafi një nga specialistët më të mirë në vendin tonë në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare dhe aktor energjik i politikës së jashtme të Shqipërisë.