Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Gazetarët nën trysni, jemi detyruar ne të bëjmë punën e medias


Kreu i PD-së, Lulzim Basha po zhvillon sot një takim me përfaqësues të mediave në një debat publik me temë “Liria e Medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe interesit publik”.

Sipas Bashës,  pa media të lirë nuk ka demokraci dhe nuk ka vlerë europiane. Basha shprehu rezervat e tij ndaj medias sot në vend, që sipas tij janë vënë në shërbim të pushtetit. Madje Basha tha se është problem edhe siguria e gazetarëve, pasi disa prej tyre janë kërcënuar edhe me jetë.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se për të plotësuar boshllëkun e lënë nga mediat, është detyruar vetë opozita shpeshherë të kryejë rolin e tyre, duke denoncuar dhe raportuar çështje të krimit dhe korrupsionit.

“Problemi i sigurisë së gazetarëve, janë nën trysni dhe kërcënime të vazhdueshme për shkak të detyrës, e kam fjalën për kërcënime për jetën nga krimi i organizuar që kanë marrë edhe formën e goditjen me armë. Censura dhe autocensuar për shkak të varësisë direkte apo indirekte nga të ardhurat e qeverisë apo pushtetit. Përdorimi i medias për avancimin e interesave ekonomike dhe jo të interesit publik. Kanë probleme që lidhen me profesionalizmin që kanë cuar me dashje apo pa dashje në braktisjen e medias nga interesi publik, dhe vënien e saj në shërbim të interesave jo publike deri kriminale.

Problemi kryesor që ne shohim në raport me median dhe pavarësisë, është pamundësia apo paaftësia për të hulumtuar dhe pasqyruar problemet e thella të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës. Sepse kjo i kthen ato në një përforcues, amplifikues të propagandës së pushtetit, pjesërisht në kronikanë sipërfaqësorë ‘ndodhi kjo, ndodhi ajo’ në vend që të luajë një rol të rëndësishëm siç është ai i hulumtimit, investigimit dhe i nxjerrjes në sipërfaqe të problemeve të shoqërisë, ekonomisë, politikës, qeverisë, opozitës dhe kujtdo tjetër.

Madje kaq i thellë është bërë ky dimension saqë duhet të denoncojë politika, që ta japi media. Aq sa na akuzojnë se jemi bërë ne si media. Dhe jemi bërë shpesh si media, për çështje të krimit në veçanti, të korrupsionit, për të plotësuar atë që e gjykojmë si një boshllëk të lënë nga media.”, tha Basha.

Ndër të tjera, kryedemokrati përmendi raportin e fundit të DASH, që e konsideron Shqipërinë një vend tranzit të trafikut të lëndëve narkotike.

“Nuk mundem mos të them një trishtim të madh në zemër. 10 vjet më parë në këtë javë unë isha ministër i Jashtëm dhe po bëheshim gati për Samitin e NATO-s ku më 7 prill ndodhi procesi i anëtarësimit si anëtar i denjë i vendit tonë në aleancën më të fuqishme politike e ushtarake që ka njohur Bota. Ishta qeveria amerikane aleatja jonë më e fuqishme në këtë arritje historike.

Për ironi të fatit, 10 vjet më pas, përirisht në javën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje madhore, raporti i DASH tregon se Shqipëria është kthyer në një vend ku nuk ka siguri, por lulëzon krimi, droga, pastrimi i parave, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe Shqipëria është kthyer nga një vend bazë sigurie për vendet e tjera, është kthyer në një bazë të krimit të organizuar që vepron nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, në Europë deri në Lindjen e Mesme. E mbyll citimin e raportit të DASH.”, tha Basha./Hashtag.al