Vendosni fjalën kyçe....

Kush tha se ka ikur dimri, dëbora mbulon vendin, reshje edhe në bregdet (FOTOT)


Sikurse e kishin parashikuar sinoptikanët, mëngjesin e kësaj të shtune vendi është gdhirë i zbardhur nga dëbora.

Reshje të shumta dëbore ka pasur në veri të vendit si në Dibër, kryesisht në zonat malore por edhe në Juglindje. Korça po ashtu është mbuluar nga bora.

Erërat e forta në Pukë kanë dëmtuar çatinë e një banese private, pranë nënstacionit elektrik.

Si pasojë, rrëzimi i çatisë ka dëmtuar linjat elektrike. Një nga linjat dalëse nga nënstacioni është këputur dhe si rezultat është ndërprerë furnizimi me energji elektrike i qytetit të Pukës.

Reshje të lehta dëbore ka patur edhe në kryeqytet, por nuk ka qëndruar gjatë, ndërsa Dajti është zbardhur i tëri.

Reshje bore ka patur edhe në bregdet. Në Durrës ka shtruar bora e parë për këtë dimër.

Reshjet e borës janë të rralla në zonat brengdetare në vendin tonë, por ky është viti i treti rradhazi që në Durrës bie dëborë.

Moti për ditën e sotme parashikohet i vranët në të gjithë vendin dhe kthjellime prej orëve të pasdites. Vranësirat do të shoqërohen me reshje dëbore në pjesën më të madhe të territorit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar qytetarët për akset rrugore më problematike.

Sipas ARRSH-së, drejtuesit e automjeteve duhet të përdorin zinxhirë në rrugët Korçë-Ersekë, Qafë Bigell-Dogana Goricë, rrugën e Dardhës dhe të Voskopojës.

Sakaq vijon puna për pastrimin e rrugëve nga dëbora.

“Gjatë natës ka pasur reshje bore në juglindje dhe ne veri të vendit.

Kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në punë me mjetet borëpastruese dhe është bërë shpërndarja e kripës.

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët Korçë-Ersekë, Qafë Bigell-Dogana Goricë, rruga e Dardhës dhe e Voskopojës.

Drejtuesit e mjeteve te tregohen të kujdesshëm, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të përdorun zinxhir në rrugët që kemi lajmërur, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *