Vendosni fjalën kyçe....

Edi Ramës i dështon parashikimi


Kanë mjaftuar vetëm pak orë që kryeministrit Edi Rama dhe Policisë së Shtetit t’u dështojë parashikimi që jo vetëm kishin menduar, por edhe e kishin demonstruar.

Fjala nuk është për djegien e mandateve, të cilat kryeministri i vendit i kishte parashikuar se nuk do digjeshin nga opozita.

Jo më larg se dje Policia e Shtetit doli në një deklaratë zyrtare, ku bënte me dije se gjatë protestës së ditës së sotme të opozitës, qytetarët do të futeshin me dhunë në parlament.

Kurse Rama e çoi më larg këtë ide, duke alarmuar ndërkombëtarët me mesazhin që u jepte nga mediet italiane. Ai i tha “Rai1”-t se jo vetëm do hyjnë por edhe do e djegin parlamentin, kuptohet duke bërë cituesin “rigoroz” me “ata kërcënojnë”.

“Nesër kanë kërcënuar se do djegin parlamentin, të bëjnë gjëra apo skena në parlament”, tha për televizionin italian Rama.

Madje, nisur nga këto “informacione”, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi anuloi seancën e sotme parlamentare dhe sot ky institucion u blindua me tela me gjemba e më shumë se 5 radhë efektivësh në mbrojtje.

Siç u pa, protesta sot qe paqësore. Qytetarët jo vetëm që nuk tentuan të futeshin në Parlament por edhe kur shoqëruan liderët e opozitës për të dorëzuar mandatet, kaluan qetësisht edhe në krahë të zyrës së kryeministrit që parashikonte djegie.

Nga sot parlamenti ku Edi Rama ka maxhorancën do të ketë mungesën e  deputetëve të opozitës./Hashtag.al

Foto nga protesta paqësore e 21 shkurtit

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *