Vendosni fjalën kyçe....

Policia ndryshoi vendin e protestës së opozitës, PD: Arsye politike, të urdhëruara nga Rama


Partia Demokratike ka reaguar lidhur me protestën që do mbahet në datën 16 shkurt në kryeqytet pasi Policia e Shtetit sipas saj ka ndryshuar vendin e zhvillimit të saj.

PD sqaron se protesta është njoftuar konform ligjeve dhe se arsyet që jep Policia e Shtetit për ndryshimin e vendit janë të bazuara në arsye politike.

Deklarata e plotë:

Duke i’u përgjigjur interesimit të medias mbi lajmin e shpërndarë sot në lidhje me protestën, Partia Demokratike sqaron se:

Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”.

Policia e Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”.

Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës. Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve.

Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje. Qëndrimi i Partisë Demokratike i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga Partia Demokratike.

Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politik të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike.

Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *