Vendosni fjalën kyçe....

Basha zotohet para kuksianëve: Më shihni në sy, do zhbëj të gjitha padrejtësitë që ju ka bërë Rama!


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet sot në Kukës në vijim të turit të tij me qytetarët. Basha u zotua se do të zhbënte padrejtësitë e bëra deri më tani ndaj kuksianëve. Ai tha se do të zeronte taksën për Rrugën e Kombit, do të ulte taksën e karburantit si edhe premtoi të kthente Kukësin në një qendër universitare.

“Gjëja e parë që do bëj sot është të zotohem para jush, por jo gjithçka, çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë, ju premtoj që do ta zhbëjmë me të ardhur në pushtet, duke nisur me anulimin e traut, taksa do të zerohet.

Ju e arritët një sukses, mos e harroni. Jo të plotë, por gjithsesi ju e bindët ta ulnit taksën. Taksa do të jetë zero lekë. Plani i tij për ta shkretuar Kukësin do të marrë fund dhe një nga hapat do të jetë rihapja e universitetit të Kukësit që bijtë e bijat tuaja t’i edukoni këtu me kosto më të ulëta. Këtu të ketë edhe kërkim shkencor.

Rihapja e universitet do të rikthejë këtu fëmijët tuaj, me kosto më të ulët. Do të financojmë praninë e pedagogëve në mënyrë që këtu të jetë një qendër universitare e kërkimit shkencor, e trajnimit profesnal. Ne do të marrim përvojën më të mirë gjermane sepse, më shihni në sy, gjermanet do i kemi në krah dhe këtu do të ndërtojmë qendrën universitare si gjermanët, ku gjysmën e kohës studenti ta kalojë në Universitet, gjysmën e kohës ta bëjë stazh pune.

Jo vetëm do të sjellim profesorë e docentë, të vijnë këtu nga gjithë zonat, edhe nga Prizreni e zonat përreth, ta kthejmë Kukësin në një qendër të vertetë universitare të Veriut të Shqipërisë.

Masat e tjera që do të marrin janë masat e Stabilizimit të Shqipërisë, do rrisim konsuminin, punësimin. Do u japim mundësinë që investimet e huaja të kthejnë sytë nga Kukësi. Së pari do ulet taksa e karburantit. Ky do jetë çlirim i madh për ekonominë.

Këtu gjysma e familjeve janë hequr nga ndihma ekonomike. Pse ekziston qeveria? Të kujdeset për punësimin, rrogat, aty ku s’ka me ndihmë sociale. Kjo është, për çfarë duhet qeveria nëse s’bën këtë.”, tha Basha në Kukës.

“Rama na ka izoluar. Nuk kemi te drejta as sa minoritetet.”, tha një nga banorët.

Një tjetër banor, tregtar ambulant, tha se nuk pret që kryeministri Rama t’i japë lekë, por pret barazi dhe vende pune.

“Jemi tregtarë ambulantë që paguajmë rregullisht taksat shtetit. Çdo ditë përballemi me vafrëri ekstreme. Të gjithë janë pa punë. Ardhja jote është shumë kënaqësi sepse je i vetmi që vjen në këmbë dhe qan hallin me ne. Ai tjetri vetëm merr votën dhe nuk vjen kurrë të na shohë. Gjysma e popullsisë është atje në male, të cilët janë pa drita, pa bukë, pa ujë. Largimi i kuksianëve ka ndikuar shumë keq. Është zbrazur. Vendosja e taksës në Rrugën e Kombit është shumë kriminale. Ne nuk kemi asnjë të drejtë. Mbylli universitetin. Tokat janë të gjitha të përmbytura. Lekët e hidrocentralit i merr për vete. Ne nuk kemi nevojë të na japë ai lek, ne duam të jemi të barabartë si i gjithë populli shqiptar. Duam shpronësimin urgjent sepse me ato lek paguajmë taksat e tatimet. Ne duam vende pune, të jetojmë si të gjithë shqiptarët. Ti je ndihma jonë. Kemi dy dogana, një në Kalimash një në Morinë. Jemi më të izoluarit. Dy dogana.”, tha tregtari.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *