Vendosni fjalën kyçe....

1 vit pa u ndalur ditë pas dite, si u shndërrua protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në frymëzim kombëtar


Ditën e sotme bëhet 1 vit që kur nisën protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental nga projekti i qeverisë dhe bashkisë për shembjen e tij dhe ndërtimin aty të një teatri të ri dhe dhënien e tokës publike të teatrit te kompania Fusha, që ishte ofruar për të ndërtuar godinën e re të teatrit.

Protesta për mbrojtjen e teatrit ka qenë më jetëgjata dhe e rralla në llojin e saj. Ajo nuk është ndërprerë për asnjë ditë dhe në të kanë marrë pjesë qindra artistë e qytetarë të cilët janë mbledhur në sheshin para teatrit ditë pas dite.

Me nisjen e protestës, qeveria dhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, ia nisën nga puna me qëllimin e vetëm manipulimin e artistëve që u shprehën kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.

Kryebashkiaku Veliaj organizoi disa tryeza me specialistët, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin në varësi institucionale prej tij ose kryeministrit Rama, të cilët dhanë argumentet e tyre se pse teatri duhej prishur.

Madje ai solli në Tiranë edhe arkitektin danez Bjarke Ingels i cili kishte përgatitur projektin e teatrit të ri.

Pas disa tryezash një pjesë e artistëve që fillimisht u shprehën kundër prishjes së teatrit, ndryshuan qëndrim rrugës duke u shprehur pro prishjes së tij. Madje ata organizuan edhe peticione duke mbledhur firma për prishjen e godinës.

Artistët dhe qytetarët të cilët ishin kundër prishjes së tij organizuan disa pritesta para Kuvendit, kryeministit dhe presidencës. Ata kërkuan rikonstruksionin e godinës dhe nëse shihet e nevojshme ndërtimi i një teatri të ri, për të të gjendej një tjetër vend.

Protesta për mbrojtjen e teatrit vijon ditë pas dite dhe sot ka mbushur 1-vjeçarin e saj ndërsa artistët dhe qytetarët që mblidhen çdo mbrëmje para sheshit kanë deklaruar se nuk do tërhiqen deri në fitimin e kauzës.

Pas saj protesta të tjera kanë mbirë në vend. Banorët e Unazës së Re kanë mbi 3 muaj që protestojnë ditë pas dite kundë prishjes së banesave të tyre ndërsa në fillim të dhjetorit shpërtheu protesta më masive, ajo e studentëve, që nuk është fashitur ende.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *