Vendosni fjalën kyçe....

PD: Sjellja e policisë ndaj gazetarit pasqyrë e qeverisjes 8-vjeçare të Ramës


Partia Demokratike ka reaguar edhe njëherë nëpërmjet deputetes së zgjedhur Albana Vokshi në lidhje me dhunën që policia ushtroi sot ndaj gazetarit të News 24, Ergys Gjençaj.

Në një deklaratë për mediat, deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi  thotë se ky është rasti kur dështimin e vet policia e mbulon me dhunë ndaj gazetareve.

Sipas saj, pamjet kur policia shtrin për tokë gazetarin tregojnë  pasqyrën e vërtetë të qeverisjes 8 vjeçare të Edi Ramës.

Deklarata e plotë:

Shumë shqiptarë kanë ndjekur sot me shqetësim pamjet e rënda të dështimit të policisë për kapjen e një trafikanti droge dhe dhunimin e gazetarit që po raportonte për këtë ngjarje në Tiranë.

Gazetari i Televizionit News 24, Ergys Gjençaj, u përball sot padrejtësisht me brutalitetin shtetëror, ndërsa ishte më krye të detyrës, i identifikuar si gazetar.

Pamjet që shpërndau News 24 janë tronditëse për gjendjen e mjeruar të lirisë së medias më Shqipëri, por edhe të luftës kundër krimit të organizuar, që mban në këmbë qeverinë e Edi Ramës.

Mund ta ndjekim bashkë videon.

Një trafikant i dyshuar droge sfidon një grup me policë në mes të ditës. Ai i ikën policisë, siç duket qartë nga pamjet e News 24. Dhe ky është nga ato rastet, kur dështimin e vet policia e mbulon me dhunë ndaj gazetarëve.

Ergys Gjençaj po raportonte, po kryente detyrën, po filmonte edhe me celular, ndërsa policët sillen si bandat. I marrin celularin me te cilin po filmon dhe po raportonin, e trajtojnë dhunshëm, pa treguar respekt për informimin  e publikut. Pra, kemi një gazetar të shtrirë përtokë nga policia, si të ishte më vendet më regjim zyrtar autokratik, jo në një vend që synon të anëtarësohet në BE.

Kjo pamje është pasqyra e vërtetë e qeverisjes 8 vieçare të Edi Ramës. Lë kriminelët të largohen dhe dhunojnë gazetarët, që janë në vijën e parë për të raportuar dhe, në shumë raste, për të ndihmuar policinë e shtetit.

Partia Demokratike e dënon këtë sjellje brutale të përsëritur të forcave të policisë me gazetarët. As Ergys Gjençaj, dhe asnjë gazetar nuk duhet të preket me dorë nga shteti, nga pushteti, nga politikanët!

Me gjithë problemet e mëdha të medias, gazetarët duhet të jenë të paprekshëm në kryerjen e detyrës!

Asnjë justifikim i policisë nuk e përligj dot dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të News 24, ndërsa ishte në krye të detyrës.

Për shumë qytetarë është e qartë se sjellja brutale e policisë ndaj gazetarëve buron nga sjellja e ngjashme e kryeministrit me mediat.

Është ai që sulmon i pari, që i intimidon dhe i shantazhon gazetarët. Veprimet e tjera të policëve të papërgjegjshëm apo arrogantë janë pasojë e gjuhës dhe veprimeve të dhunshme të kryeministrit.

Gjuha denigruese ndaj gazetarëve u theksua si një shqetësim kryesor i raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Raporti që konfirmoi masakrën zgjedhore të 25 prillit me blerjen e votës dhe përdorimin e shtetit, vë në dukje se gazetarët janë censuruar dhe janë gjendur përballë presionit dhe korrupsionit.

Dhuna ndaj gazetarëve, njësoj si blerja e votës, nuk ka lidhje me demokracinë dhe shtetin ligjor! Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në krah të gazetarëve, sepse ne vlerësojmë se zëri i tyre duhet të shkojë sa më i vërtetë tek qytetarët!