Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendësojnë njëri-tjetrin, si po qarkullojnë drejtorët e Ramës


Që prej fundit të vitit të shkuar, kur kryeministri Rama lajmëroi ndryshimet në qeveri duke larguar thuajse të gjithë ministrat për t’i zëvendësuar me emra të rinj, që sipas tij do i sillnin freski dhe një tjetër dinamikës qeverisjes, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me drejtorët e rëndësishëm të institucioneve në vend.

Ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i i kanë lëshuar vendin njëri-tjetrit në një rrokadë lëvizjesh, brenda për brenda administratës.

Ish-ministrja për mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, u largua nga qeveria duke u zëvendësuar në këtë post prej Eduard Shalsit. Pas largimit nga ministria në fjalë, Qato u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke zëvendësuar në këtë pozicion, Afrim Qendron, që u largua nga detyra prej ministres së Infrastrukturës, Balluku.

Agron Hetoja ka qenë drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare që prej vitit 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste. Ai u emërua në krye të institucionit në fjalë nga ish-ministri i Infrastrukturës, Gjiknuri dhe e mbajti këtë post deri para pak ditësh, kur në datën 28 janar u largua si drejtor i KESH-it. Sot ai është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Benet Beci është drejtori më jetëgjatë i administratës shtetërore. Ai ka mbajtur postin e kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit prej 13 vjetësh deri në datën 28 janar, kur u largua nga FSHZH-ja për t’u emëruar në krye të KESH-it, duke zëvendësuar në këtë pozicion Agron Hetonë.

Emri më i fundit në këtë listë është ai i Agim Ismailit, që është emëruar sot si drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në vend të Stefan Çipës. Para se të emërohej në krye të këtij institucioni, Ismaili ka mbajtur postin e drejtorit të AKU-së, kurse Çipa tani e tutje do të drejtojë Entin Kombëtar të Banesave. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *