Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Jam fajtore që nuk i besova Metës për Bashën


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar se ndihet në faj që nuk i besoi bashkëshortit të saj dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me bashkëpunimin e saj me Lulzim Bashën.

Në një intervistë me televizionin “News 24”, Kryemadhi tha se Basha e gënjeu LSI-në dhe opozitën për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

“Ndihem fajtore që nuk kam besuar Ilir Metën në marrëdhënie me Lulzim Bashën sepse gënjeshtra në të gjithë filozofinë politike të tij është mesa duket standard jetese.

Ajo që dua të theksoj është që nga djegia e mandateve që prisja të dilte Merkeli në suport të djegies së mandateve dhe të shkonim në zgjedhje, që nga bojkoti i zgjedhjeve lokale, që nga lufta që nuk dorëzonte godinat dhe i dorëzoi godinat… të gjitha janë njëra pas tjetrës.

Që nga marrëveshja e 5 Qershorit që s’ka dashur ta firmosë. Por nuk është normale që të nxjerr mesazhet që kemi me partnerët tonë, se si Lulzim Basha nuk donte ta firmoste marrëveshjen e 5 qershorit. Këtu kam dëshmitarë edhe Bylykbashin dhe Vasilin. Pasi u firmos një marrëveshje që firmoste një fitore plebishitare të opozitës marrëveshja u prish…

Po të vijmë tek një listë, ne ramë dakord për të patur kandidatë të përbashkët.

E lamë që Hajri Laçi do të jetë i treti në Dibër dhe Basha tha më jep një grua. I thashë po pse të jap një grua kur biri i botës ka një vit që po punon. Edhe në Gjirokastër Ramë dakord dhe në fund të ditës nuk ndodhi asgjë.Në Kukës LSI i qëndroi korrekt. Edhe sot po presim që të fillonim fushatën e përbashkët për 25 prillit. Ka qenë një situatë që duam apo s’duam slogani nuk ishte Shqipëria Fiton, por Basha Fiton. Isha fajtore që i dhashë besën një të pabesi.”-deklaroi Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI-së shton: “Në fakt unë jam fajtore, jam fajtore që i dhashë besën Lulzim Bashës, një të pabesi. Pse e them këtë, ajo që dua të theksoj dhe që është më e rëndësishmja, kur je peng i së kaluarës tënde nuk mund të ndryshosh dot të ardhmen. Sot për hir të së vërtetës, situata në të cilën gjendet PD-ja, do qartësojë dhe shumë gjëra në politikën shqiptare.”