Vendosni fjalën kyçe....

“Prokuroria të hetojë Ramën e Veliajn, i dhanë 3 leje ndërtimi kompanisë së vëllait të kryeministrit” – PD


Partia Demokratike ka deklaruar se hetimi i prokurorisë ndaj KKT-së për dhënien e lejes së ndërtimit është i paplotë.

Në një deklaratë për mediat zëdhënësja, Zhupa, tha se prokuroria duhet të hetojë për pastrim parash kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj.

Dyshja i ka dhënë brenda 7 muajsh 3 leje ndërtimi kompanisë më të madhe të bixhozit, pas së cilës fshihet vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama.

Deklarata e Zhupës

Prokuroria e Tiranës njoftoi pak ditë më parë se ka nisur hetimet për shkeljen e ligjit nga kryeministri Edi Rama për dhënien e lejes së ndërtimit për një kullë mbrapa presidencës. Nisja e hetimeve erdhi si përgjigje për investigimin nga emisioni Ajsberg, por është krejt e pamjaftueshme. 

Tirana është shndërruar në një lavatriçe të madhe parash të pista nga çifti më i korruptuar në Europë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ndërtimi mbrapa Presidencës është vetëm njëra prej godinave të larta, që do të ndërtohet me firmat e çiftit Rama-Veliaj, duke i hapur rrugë pastrimit të parave nga biznesi i bixhozit. 

Aktualisht janë në ndërtim edhe kulla prapa Sahatit të Tiranës dhe ajo në zemër ish zonës së ish Bllokut. 

Të  treja ndërtimet në zonat më të mira dhe më të shtrenjta të Tiranës i janë dhënë një personi Dajlan Avdia– pronar deri pak kohë më parë i kompanisë më të madhe të bixhozit Apex. 

Këto faktë, Partia Demokratike i ka denoncuar disa javë më parë, duke ngritur shqetësimin se kompanitë e bixhozit, klientë të Edi Ramës, po i investojnë paratë e bixhozit në fushën  e ndërtimit me lejen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Të treja kullat do të zënë një sipërfaqe prej 54 mijë metrash katrorë, thënë ndryshe sa 6 fusha të mëdha futbolli, të dhëna për një person, që sipas denoncimeve të medias, ka lidhje të drejtpërdrejta me vëllain e kryeministrit Olsi Rama. 

Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve çfarë ka të veçantë Dajlan Avdia, i cili nuk ka patur kurrë më parë aktivitet ndërtimi, që i dha brenda pak muajve leje ndërtimi në 3 zonat më të shtrenjta të Tiranës, duke shkelur edhe ligjin.

Njëra në nëntor 2017 në zemër të Bllokut

Një tjetër në shkurt të këtij viti tek Kulla e Sahatit.

Për kullën e tretë leja u dha në muajin qershor, pak pasi klienti i Edi Ramës shiti aksionet e bixhozit. Kjo është kulla që po ndërtohet mbrapa presidencës dhe për të cilën po heton prokuroria. 

Kohës së përdorimit të kryeqytetit si lavatriçe e pastrimit të parave të pista nga Edi Rama dhe Erion Veliaj po i vjen fundi! Qytetarët po ngrihen në protestë së bashku me opozitën! Duke bashkuar zërin në protestat tona në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ne mund t’i japim fund modelit që punon për pasurimin e një grushti klientësh të pushtetit dhe kundër interesit të qytetarëve!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *