Vendosni fjalën kyçe....

“Të pëlqejnë monologjet, s’na blen dot siç bën me FRESSH-istët” – Studentët braktisin takimin me Ramën


Një pjesë e madhe e studentëve që ishin në takimin me kryeministrin Rama në sallat e fakultetit të Arkitekturës kanë dalë nga takimi.

“Ju nuk doni dialog, doni monolog me veten. Nuk na bleni dot siç keni blerë 1000 FRESSH-ista. Zërin tonë do e dëgjoni. Nuk na ulni dot. Ju nuk doni të dëgjoni, vetëm të flisni vet. Kush do të dëgjojë monolog le të rrijë këtu. Ne po largohemi.” – tha njëra nga studentet para se të braktiste mbledhjen bashkë me shumë studentë të tjerë.

Ata kanë dalë jashtë godinës së fakultetit ku u janë bashkuar studentëve të tjerë që nuk u futën fare brenda. Ata thërrasin nga jashtë godinës “S’ka dialog”, “Anulo ligjin e Arsimit të Lartë” dhe “Turp, turp”.

“Deri tani kemi parë vetëm monologje që i shërbejnë vetëm atij dhe askujt tjetër. Nuk ka dialog pa u plotësuar 8 kërkesat tona. Qeveria nuk na ble dot.” – tha njëra nga studentet protestuese.

Kryeministri Rama nga brenda e ka quajtur si të papranueshme këtë sjellje të studentëve të cilët sipas tij nuk duan të gjejnë zgjidhje për problematikat që kanë shtruar.

E njëjta situatë është paraqitur edhe në takimet e kreut të qeverisë në Universitetin Bujqësor dhe Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.

Studentët e Arkitekturës ishin të parët që u ngritën në protestë dhe më pas ajo përfshoi valë-valë të gjitha universitetet e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera.