Vendosni fjalën kyçe....

Bien çmimet e naftës, Trump kërkon uljen e prodhimit


Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm gjatë sesionit të sotëm, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shtoi presionin ndaj OPEC për të mos ulur prodhimin. Në këtë mënyrë, dy bençmarkët kryesorë të naftës po publikojnë humbje për të 12-in sesion me radhë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.7 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët kanë humbur rreth 20% të vlerës që nga fillimi i tetorit kur tregtoheshin në nivelin më të lartë në 4 vitet e fundit, shkruan Scan-tv.

Eksportuesi kryesor i OPEC, Arabia Saudite, po e shikon me alarm rritjen e ofertës, që po fillon të tejkalojë kërkesën. Vendet prodhuese të naftës i frikësohen një skenari të ngjashëm me atë të vitit 2014, kur çmimet ranë poshtë 30 dollarëve për fuçi. Të hënën, ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, deklaroi se është e nevojshme një ulje e prodhimit me rreth 1 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga dhjetori.

Në një raport të publikuar sot, OPEC parashikon se rritja e kërkesës do të ngadalësohet edhe përgjatë vitit 2019. Por, Trump e bëri të qartë nëpërmjet Tëitter-it se dëshiron çmime akoma më të ulëta të naftës. “Për fat të mirë, Arabia Saudite dhe OPEC nuk do të ulin prodhimin. Çmimet e naftës duhet të jenë akoma më të ulëta, bazuar në furnizimin e tregut”, tha presidenti amerikan.

Kjo bëri që çmimet e naftës të bien ndjeshëm edhe në sesionin e sotëm, pas humbjeve modeste të hënën. Gjithashtu, edhe forcimi i dollarit amerikan, në nivelin më të lartë në 16 muaj, ka ushtruar presion mbi çmimet.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *