
Shqipëria hyn sot në ditën e 47-të të protestës qytetare, e cila prej më shumë se një muaji e gjysmë ka shndërruar bulevardin përpara Kryeministrisë në qendrën e revoltës kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike.
Lëvizja, e cila nisi si një kundërshtim ndaj projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, është shndërruar në një protestë me kërkesa më të gjera, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime rrënjësore në sistemin politik.
Ashtu si në ditët e mëparshme, edhe këtë mbrëmje protestuesit pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përsëriten thirrjet e tyre.
Edhe gjatë protestës së 46-të, pjesëmarrësit deklaruan se nuk do të tërhiqen dhe se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e objektivave të lëvizjes. Nga podiumi u theksua se protesta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër modelit politik që, sipas protestuesve, ka dominuar vendin për më shumë se tre dekada.
Në fjalimet e mbajtura një mbrëmje më parë, theksi u vu te vazhdimësia e protestës, angazhimi i të rinjve dhe nevoja për pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim. Organizatorët ritheksuan se protesta do të zhvillohet çdo ditë, pa ndërprerje, duke e cilësuar atë një betejë qytetare për ndryshim.