
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ekipi i ri drejtues i propozuar përfaqëson nivelin më të lartë që kjo forcë politike ka pasur ndonjëherë, duke vënë në dukje përfshirjen e figurave me profil akademik, të rinjve dhe grave.
Në një prononcim për mediat jashtë selisë së PD-së, Berisha tha se procesi i konstituimit të strukturave drejtuese shënon përmbylljen e një faze të rëndësishme të organizimit të partisë.
“Ditë shumë e rëndësishme, në të cilën Partia Demokratike mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj. Kjo është një frymë ripërtëritjeje, në zbatim të motos kryesore të Kuvendit, që ishte ripërtëritja”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, ekipi i propozuar është më cilësori në historinë e Partisë Demokratike.
“Me këtë sot, PD ka një ekip që nuk e ka pasur kurrë më parë. Në kompetencë, eksperiencë dhe formim është ekipi më i mirë i kësaj partie në të gjitha kohërat. Ka personalitete me publikime në nivelet më të larta botërore, figura me përvojë të madhe profesionale dhe politike. Gjithashtu ka përfaqësimin më të madh ndonjëherë të të rinjve dhe të grave, si edhe një balancim të të gjitha potencialeve të partisë”, deklaroi ai.
Lidhur me procesin e zgjedhjes së drejtuesve, Berisha theksoi se çdo anëtar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe se votimi zhvillohet në mënyrë të fshehtë.
“Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Ne votojmë fshehtas me dy kandidatura dhe kandidatët e paraqitur para Këshillit Kombëtar janë figura me cilësi të jashtëzakonshme”, tha kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe te ndryshimet në drejtimin e qarqeve, duke sqaruar se procesi i rinovimit do të vijojë gradualisht.
“Ky është një proces i vazhdueshëm. Ndryshimet do të bëhen hap pas hapi, por ka një ripërtëritje të thellë dhe të paprecedentë të të gjithë strukturës drejtuese të Partisë Demokratike”, u shpreh ai.
Sa i përket faktit që emrat e kandidatëve nuk u bënë publikë më herët, Berisha tha se ky vendim u mor për të shmangur ndikimet dhe lobimet gjatë procesit zgjedhor.
“Për të zvogëluar në maksimum lobimin, nuk ua dhashë emrat që në mëngjes. Kam kërkuar që kandidatët të njoftohen vetëm në sallë”, deklaroi ai.
Duke komentuar debatet gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar me anëtaren Ilirjana Kuçana, Berisha tha se në PD respektohet e drejta e secilit për të shprehur mendimin, por çdo veprim duhet të jetë në përputhje me statutin.
“E lashë të flasë dhe nuk i mohohet askujt e drejta e fjalës. Çdo njeri është i lirë të shprehë mendimin e tij. Në përputhje me statutin mund të paraqesë rezolutë. Nëse veprohet jashtë statutit, kjo nuk është më përgjegjësia ime”, u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha garantoi transparencë në procesin e votimit, duke theksuar se rezultati do të shpallet publikisht.
“Rezultatin kjo parti e nxjerr para kamerave. Vota është sekrete”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike.