Vendosni fjalën kyçe....

“Ministrja e padronit të Edi Ramës, Vuçiç të shpallet non grata për deklaratën antishqiptare” – PD


PD kërkon shpalljen non grata të ministres serbe lidhur me deklaratën e saj “se do kishte pastruar etnikish Kosovën nëse do ishte në vend të Millosheviçit”.

Në deklaratën për media, zëdhënësja Garo theksoi se PD dënon dëklaratën antishqiptare të ministres së padronit të kryeministrit Rama, Vuçiç.

Deklarata e Garos

“Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.

Në këtë deklaratë, ajo shprehet: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.”

Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi” dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t’i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëravjeçare.

Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton.”