Arkeologë holandezë kanë zbuluar një varr të panjohur 3 mijëvjeçar pranë qytetit të Luksorit në Egjipt, ku janë gjetur piktura murale shumëngjyrëshe dhe mbishkrime që identifikojnë pronarin e tij si një burrë me emrin Paser.
Zbulimi u njoftua nga Këshilli Suprem i Antikiteteve të Egjiptit (SCA) dhe u bë në nekropolin Sheikh Abd El-Qurna, në bregun perëndimor të Luksorit, pjesë e Nekropolit Teban, një sit i mbrojtur nga UNESCO dhe një prej zonave më të rëndësishme funerare të Egjiptit të lashtë.
Sipas arkeologëve, varri daton në periudhën Ramesside (rreth viteve 1292–1069 p.e.s.), epoka e faraonëve të fuqishëm si Ramzesi II, vlerësim i bazuar në stilin e dekorimeve.
Gërmimet u kryen nga një mision arkeologjik i Universitetit të Leidenit në Holandë, i drejtuar nga Carina van den Hoven, e cila punon në këtë zonë në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane që prej vitit 2018.
Varri ka strukturën tipike të varreve elitare të Mbretërisë së Re, me një oborr të hapur që të çon drejt një kapele të gdhendur në shkëmb dhe dhomave nëntokësore të varrimit. Arkeologët zbuluan gjithashtu një stol prej tullash balte për vendosjen e një stele funerare dhe një shkallë që zbret drejt hyrjes së varrit.
Brenda tij ruhen skena të pikturuara që paraqesin Paserin duke adhuruar hyjnitë egjiptiane dhe të ulur pranë bashkëshortes në një tryezë me oferta ushqimore, imazhe që sipas besimit të egjiptianëve të lashtë siguronin furnizim të përjetshëm me ushqim dhe pije në jetën e përtejme.
Ekspertët presin të zbulojnë pjesë të tjera të dekorimeve, pasi konservatorët po heqin një shtresë të hollë dheu që mbulon disa prej mureve.
“Ekipi do të vazhdojë dokumentimin dhe studimin e varrit për të identifikuar personat e varrosur aty dhe për të rindërtuar identitetin e tyre,” deklaroi sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, Hisham Al-Leithy.
