Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania vendos tarifa të reja energjie


Qeveria gjermane planifikon të vendosë një tarifë të re për energjinë, me qëllim financimin e krijimit të një rezerve strategjike kombëtare të gazit. Masa pritet të rëndojë veçanërisht mbi industrinë gjermane, e cila tashmë po përballet me kosto të larta energjetike.

Ministria gjermane e Ekonomisë ka konfirmuar se vendi do të krijojë një rezervë strategjike gazi që do të jetë sa 10% e kapacitetit aktual të magazinimit, ose afërsisht sa konsumi i dy javëve gjatë periudhës së dimrit. Rezerva pritet të mbushet gjatë viteve 2027-2028 dhe krijimi i saj do të kushtojë rreth 1.5 miliardë euro, ndërsa mirëmbajtja vjetore mund të arrijë deri në 310 milionë euro, shkruann Rt.

Financimi i kësaj rezerve nuk do të bëhet përmes buxhetit federal, por përmes tarifave që do të paguhen nga konsumatorët. Sipas platformës së krahasimit Verivox, për familjet kjo mund të sjellë një rritje prej rreth 42 eurosh në faturat e energjisë, ndërsa për konsumatorët e mëdhenj industrialë kostoja mund të arrijë në miliona euro.

Industria gjermane tashmë përballet me disa nga kostot më të larta të energjisë në botë, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Japonisë. Humbja e furnizimeve të lira me gaz rus që nga viti 2022, së bashku me mbylljen graduale të centraleve bërthamore dhe kalimin drejt burimeve të rinovueshme, ka ndikuar ndjeshëm në prodhimin industrial të vendit.

Kompani të mëdha si BASF, Bosch dhe Volkswagen kanë reduktuar aktivitetet ose kanë mbyllur impiante prodhimi që nga viti 2022. Volkswagen, prodhuesi më i madh i automjeteve në Gjermani, njoftoi gjithashtu mbyllje fabrikash dhe shkurtime të mundshme të vendeve të punës.

Përfaqësues të industrisë kanë paralajmëruar se tarifat e reja mund të përshpejtojnë procesin e dobësimit të bazës industriale gjermane. Wolfgang Grosse Entrup, drejtues i Shoqatës Gjermane të Industrisë Kimike, tha se siguria më e madhe e furnizimit është e nevojshme, por barra financiare nuk duhet t’i kalojë vetëm industrisë.

Përpara ndërprerjes së importeve ruse, Rusia mbulonte rreth 55% të importeve të gazit natyror të Gjermanisë. Aktualisht, furnizimi vjen kryesisht nga Norvegjia me rreth 44%, Holanda me 24% dhe Belgjika me 21%, ndërsa pjesa tjetër sigurohet kryesisht përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara.

Rritja e çmimeve të LNG-së gjatë këtij viti ka shtuar shqetësimet për sigurinë energjetike të Gjermanisë. Pas ndërprerjeve të furnizimeve globale dhe mungesës së alternativës ndaj gazit rus, qeveria gjermane nisi diskutimet për krijimin e një rezerve strategjike të gazit për të përballuar situata të mundshme krizash.